“Ka mbivendosje linjash” – Pezullohen lejet për dhjetëra linja autobusi ndërqytetës
Një numër i madh licencash për linjat ndërqytetëse pritet të anulohen nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, pasi në disa zona vihet re që ka mbivendosje linjash.
Sipas burimeve nga ky dikaster, linja autobusësh që mbivendosen ka kryesisht në drejtim të zonave Veriut, por edhe për ato në drejtim të Vlorës, shkruan Shqiptarja.com.
Të paktën 60 licenca të dhëna për linja mes qyteteve në gjithë vendin do të pezullohen fillimisht dhe do të vlerësohen një për një për të parë nëse ka shkelje të legjislacionit në fuqi për transportin e udhëtarëve.
Pas gjashtë muajsh konsultime me bashkitë e vendit dhe shoqëritë e transportit ndërqytetës, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, që drejtohej nga LSI, hartoi rrjetin e linjave ndërqytetëse, stacionet e qëndrimit dhe oraret për secilën linjë. Gjithashtu, ajo nxori edhe Udhëzimin “Pёr kriteret, rregullat dhe dokumentacioni për lëshimin e licencave dhe certifikatave për ushtrimin e veprimtarisë në transportin rrugor të udhëtarëve me autobus brenda vendit”. Udhëzimi i ri përcakton që gjithsej në gjithë vendin do të operojnë 326 linja ndërqytetëse, nga 588 që ishin më parë.
Rregullat e reja kanë hyrë në fuqi nga 1 janari i vitit në vazhdim, por duket se lejet e lëshuara nuk kanë qenë të gjitha konform kërkesave të një ligji, që u deklarua se përbënte reform në transportin e udhëtarëve. Në ditët e fundit kur ministria e Transporteve drejtohej nga Sokol Dervishaj u lëshuan leje për 90 linja të reja autobusësh ndërqytetas. Një grup pune i ngritur posaçërisht tani për të analizuar udhëzimin e nxjerrë në korrik të këtij viti, ka dalë në përfundimin se ka mbivendosje licencash. “Udhëzimi që miraton 90 linja të reja, që krijon problematikën të shfuqizohet dhe në bazë të analizës së bërë nga grupi i punës, është menduar që të bëhet një miratim i linjave që janë të vlefshme”, deklaroi dje sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Gentian Keri.
Ligji i ri për transportin e ndërqytetas të udhëtarëve me autobus vendos kritere të forta për marrjen e licencave. Një nga kërkesat e rëndësishme të ligjit është që bashkitë të përcaktojnë vendndodhjen e terminaleve të autobusëve, po ashtu shoqëritë duhet të rinovojnë 20 për qind të flotës së mjeteve gjatë vitit të parë licencës, ndërkohë që mjetet duhet të plotësojnë disa kritere teknike.
Ndryshimet ligjore parashikojnë tani vetëm udhëtimin me autobus, duke hequr furgonët 8+1 nga qarkullimi, të cilat kishin rënduar trafikun, por edhe duke përdorur automjete të vjetra, që bëheshin shkak për aksidente të shpeshta. Kur u ndërmor nisma ligjore, ishin në qarkullim 1.087 autobusë. Ligji krijoi mundësi që operatorët të futeshin në shoqëri bashkiake si aksionerë mbi bazën e automjeteve që kishin të gjithë drejtuesit e autobusëve duhet të pajiseshin me certifikatën e aftësisë profesionale.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.