Kadastra digjitale – Kostot për “trekëndëshin” shkojnë në 3 mln euro

Kadastra digjitale për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të trekëndëshit Tiranë- Vorë- Durrës përllogaritet që të ketë kosto financiare në tre milionë euro. Kjo shumë do të vihet në dispozicon të 300 kilometrave katrorë për hartat digjitale në shkallë të madhe.
Sipas Drejtorit të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeo-hapësinor, Lorenc Çala ky projekt do të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik e social të vendit.
“Pikërisht fillojmë me një sipërfaqe rreth 300 km katror, pra në këtë trekëndësh ku do të hartojmë hartat e para topografike digjitale. Përllogaritet një kosto diku tek rreth 3 milionë euro dhe këto bazuar në 300 kilometrat katror të cilat përllogaritëm paraprakisht. Kuptohet, me standardet e implementuara, me të gjithë dijen që do të përftohet edhe nga eksperienca që ‘Giaka’ ka”, u shpreh Çala.
Projekti i hartave digjitale në shkallë të madhe pritet që të zgjasë 24 muaj, ndërkohë që do të zbatohet në terren nga personel i ardhur nga Japonia, por edhe personel shqiptar i trajnuar.
Entela Bajramaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.