Kadastra Shqiptare – Fillon procesi i regjistrimit për Durrësin/ Totali, 2.000 pasuri
Kadastra Shqiptare ka njoftuar nisjen e procesit të regjistrimit fillestar në zonën 2321 të fshatit Kullë, Durrës.
Sipas njoftimit zyrtar, procedura ka nisur tanimë me grupet në terren, që do të kryejnë matjet e parcelave dhe ndërtesave, duke evidentuar kufijtë e saktë të pasurive të fshatit.
“Sqarojmë se do të jetë e nevojshme nga ana e banorëve dhe bizneseve bashkëpunimi me grupet e terrenit, në mënyrë që të përcaktohen saktë kufijtë e pasurive te tyre, si dhe depozitimi i çdo dokumenti pronësie pranë ASHK-së, në rast se ky dokumentacion nuk administrohet pranë zyrave të Kadastrës. Për të shmangur spekulimet dhe sekserët, ftohen qytetarët që të kërkojnë identifikimin e punonjësve të Kadastrës, përmes dokumentit zyrtar” specifikohet më tej.
Ndër të tjera, priten të futen në sistemin e regjistrimit për këtë zonë, rreth 2.000 pasuri, për të cilat qytetarët do të kenë mundësi të aplikojnë pranë Kadastrës për t’u pajisur me certifikatë pronësie.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.