Kalanick, miliarderi në krye të Uber
Travis Kalanick është një programues kompjuterik, biznesmen dhe themelues i kompanisë Uber. Ndërkohë që kompanitë e tjera përdorin Uber si mjet krahasues suksesi, Kalanick mendon për hapin e radhës: nga njerëzit tek transporti, nëse diçka lëviz, ai kërkon të jetë në qendër të saj. Ai në vetëm shtatë vjet e ka shndërruar Uber, nga një start-up me vlerë zero në një kompani ndërkombëtare të vlerësuar në 68 miliardë dollarë.
Megjithatë Uber s’mund të ketë sukses kudo dhe humbjes në Kinë në vitin 2016, duket se po i shtohet Italia e vende të tjera.
Kalanick shërbeu për një periudhë të shkurtër si këshilltar ekonomik i presidentit Trump, deri sa dha dorëheqjen pas deklaratave të Trump për ndalimin e emigrantëve.
Ai momentalisht renditet në vendin e 226-të në klasifikimin e Forbes për njerëzit më të pasur në botë, me një vlerë prej 6,3 miliardë dollarësh.
Kalanick ka origjinë sllovake dhe ka lindur më 6 Gusht 1976 në Los Angeles, ku më pas studio për inxhinieri kompjuterike. Së bashku me dy shokë të tjerë Travis la shkollën e lartë për të nisur një biznes, një motor kërkimi multimedial dhe një shërbim shkëmbimi materialesh.
Pas falimentimit të nismës së quajtur Scour, Kalanick krijoi një tjetër shërbim për ndarje materialesh të quajtur Red Swoosh. Gjatë kësaj kohe ai pati shumë vështirësi si të punuarit për tre vjet pa rrogë dhe kthimi në shtëpinë e prindërve. Kompania grumbulloi mbi 100 mijë dollarë borxhe në taksa dhe çdo inxhinier i kompanisë u largua gradualisht.
Uber u themelua nga Kalanick dhe Garret Camp në vitin 2009, fillimisht në idenë e UberCab, pra taxi Uber. Camp kishte shpenzuar 800 dollarë mbrëmjen e Vitit të Ri për të paguar një shofer privat dhe prej atëherë kërkonte mënyra për të ulur çmimin. Kjo u shndërruar në idenë e Uber dhe Kalanick ia atribuon idenë tërësisht Camp-it.
Kompania nisi shërbimet zyrtarisht në 2011-ën dhe klientët e aplikacionit mund të merrnin një makinë luksi me çmimin vetëm 1.5 herë më të lartë se ai i një taksie normale. Më pas në Korrik 2012, kompania prezantoi uberX, një shërbim ku çdokush mund të bëhet shofer për kompaninë, nëse plotëson disa kushte. Shumë shpejt kjo kompani operonte në mbi 35 qytete.
Tani që kompania është zgjeruar dhe kryen shërbime në 570 qytete në botë, Kalanick shërben si Drejtori Ekzekutiv i Kompanisë. Kalanick e ka blinduar pozicionin e tij në krye të kompanisë , duke kontrolluar votat e bordit, në një mënyrë të ngjashme siç funksionon Google, Facebook dhe Snapchat.
Uber nuk po kalon një periudhë të mirë, sidomos prej drejtimit të dobët. Kalanick ka lejuar krijimin e një fryme maskiliste në kompani, ku një nga inxhinieret femra ka shpërthyer në akuza ngacmimi seksual dhe diskriminimi. Ai vetë është kapur në video duke ofenduar një shofer të Uber, ndërsa Google ka hedhur kompaninë në gjyq për vjedhje idesh.
Tashmë supervota e tij është bërë problematike, pavarësisht qëllimeve pozitive të tij.
Edhe në jetën personale gjërat duket se nuk shkojnë mirë për Kalanick. Për dy vjet ai u frekuentua me Gabi Holzwarth, një violiniste performuese në rruge dhe nëpër evente, por gjërat mes tyre nuk funksionuan.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.