Kalon 1 Nëntori për Komisionin Europian – Franca, Hungaria dhe Rumania nuk kanë ende komisioner
Komisioni i ri i Bashkimit Europian duhet të merrte detyrën në Bruksel, por disa pengesa politike kanë bërë që administrata e re të mos nisë të paktën edhe për një muaj. Ursula von der Leyen, presidentja e ardhshme e Komisionit, prezantoi ekipin e saj në Shtator.
Megjithatë, 3 nga 27 nominimet u refuzuan nga Parlamenti Europian muajin e kaluar, çka nënkupton se von der Leyen nuk mund të nisë detyrën e saj të re më 1 Nëntor. Komisioni i Juncker do të duhet të rri në detyrë për më gjatë, por me fuqi të kufizuara.
Sipas një zëdhënësi të krahut ekzekutiv, fuqitë e komisionit janë të limituara në administrimin e dosjeve që po largohen, pa ndikuar te vendimet politike të komisionit të ardhshëm. Në historik, 3 komisione kanë vonuar ditën e parë të detyrës. Vonesa e kësaj radhe është e pa përcaktuar dhe po ndodh në një kohë ku Bashkimi Europian përballet me sfida të mëdha, si tregtia ndërkombëtare, planet e buxhetit dhe Brexit.
Deputetët e Bashkimit Europian i thanë jo individëve të nominuar nga Franca, Hungaria dhe Rumania, duke përmendur konflikte të interesit. Ndërkohë, Franca ka propozuar një tjetër emër për komisionin von der Leyen; Thierry Breton, ish ministër i financave i vendit.
Hungaria ka zgjedhur gjithashtu Oliver Varhelyi, një ambasador të BE, që do të jetë në ekipin e von der Leyen. Megjithatë, të dy kandidatët nuk janë miratuar ende nga Parlamenti Europian. Rumania nuk ka zgjedhur ende një kandidat tjetër në Bruksel, pasi Qeveria hyri në krizë më herët gjatë muajit, gjë që mund të vonojë më tej datën e nisjes së Komisionit të ri.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.