Kalon paketa e murit në SHBA – Senati premton se do ta bllokojë. Rrezikohet mbyllja e qeverisë
Republikanët në Shtetet e Bashkuara votuan për të shtuar 5 miliardë dollarë në një paketë të shpenzimeve që do të mbështesë premtimin e Donald Trump për të ndërtuar murin. Kjo lëvizje ka shtuar gjasat e një “mbyllje” të pjesshme të qeverisë federale këtë fundjavë.
Senati nuk ka gjasa të kalojë ligjin, që financon agjencitë e përgjegjshme për aktivitetet e përforcimit të ligjit federal, sigurinë në aeroporte, eksplorimin e hapësirës dhe programet e bujqësisë.
Trump ka thënë se nuk do të nënshkruajë ligjin e kaluar në senat për të mbajtur qeverinë në funksion deri më 8 Shkurt, për shkak se nuk përmban fonde për të financuar murin. Trump kërkoi $5 miliardë për të ndërtuar murin në kufirin me Meksikën, që sipas tij do të ndalojë emigrimin e jashtëligjshëm.
“Po luftoj për sigurinë kufitare. Unë kam nisur ta ndërtoj murin. Kemi ndërtuar seksione të mëdha. E vërteta është se na duhet muri dhe demokratët e dinë këtë, çdokush e di. Unë i kuptoj ata, por duhet të vendosin interesat e vendit tonë përpara, ndërkohë që ata kanë prioritet politikat”.
Lideri i demokratëve në senat, Chuck Schumer, tha se paketa që përfshin 5 miliardë dollarë për të ndërtuar murin nuk do të marrë 60 votat që duhen për të kaluar në senat.
“Kërkesat e Trump do të mbyllin qeverinë por nuk do të ndërtojnë murin. Paketa që ndodhet në parlament, është e sigurt që nuk do të kalojë në senat dhe të gjithë e dinë. Është një përpjekje cinike për të cenuar njerëz të pafajshëm dhe të plotësojë dëshirat e Trump”.
Pasiguria mbi financimin ndikoi te tregjet e kapitalit, por më vonë u eklipsua nga një lajmërim akoma më kritik nga administrata e Trump, që ishte dorëheqja e Sekretarit të Mbrojtjes Jim Mattis.
Trump, që ka akuzuar demokratët për lojërat politike në lidhje me murin, ka thënë se kjo do të mbështesë fitoren e tij në zgjedhjet e 2020-ës. Javën e kaluar, ai tha se është krenar që do të sakrifikojë mbylljen e qeverisë për sigurinë kufitare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.