Kamatëvonesat e energjisë, OSHEE arkëtoi 1.6 mld lekë nga mospagesa në kohë

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike arkëtoi gjatë vitit 2016 nga kamatëvonesat 1.6 miliardë lekë. Kjo vlerë ka ardhur në ulje nëse e krahasojmë me atë të vitit 2015 kur u arkëtuan 3,9 miliardë lekë.
Rënia e lartë në këtë zë që llogarit OSHEE në bilancin e saj ka të bëjë me dy aspekte, E para lidhet më rënien e efektit fillestar të pagesës së detyrimeve të prapambetura pasi shumica e aktmarrëveshjeve tashmë janë lidhur dhe kanë hyrë në procesin e tyre normal dhe e dyta sepse kemi një ndërgjegjësim të qytetarëve për të paguar faturën korrente brenda afatit. Këtë e reflekton edhe rritja e arkëtimeve.
Kamatëvonesat fillojnë të llogariten mbi një faturë në momentin që ajo nuk është paguar deri në ditën e 30 të muajit pasardhës të konsumit. Pra nëse konsumi është bërë në janar afati i pagesës është deri në fund të shkurtit.
Nga 1 marsi nis llogaritja e kamatëvonesës. Ndërkohë që nëse fatura nuk paguhet brenda 90 ditëve nga data e lëshimit atëherë operatori përveç aplikimit të kamatëvonesës që vazhdon të akumulohet çdo ditë mund të bëjë edhe ndërprerjen e energjisë elektrike.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.