Kampioni bankar gjerman – Deutsche Bank konfirmon bisedimet për shkrirje me Commerzbank
Deutsche Bank bëri të ditur se po zhvillon bisedime me Commerzbank, duke shtuar mundësinë e krijimit të një kampioni kombëtar të huadhënies, ndërkohë që të dy institucionet po hasin vështirësi në aktivitet. Huadhënësi konfirmoi se ndodhet në bisedime me Commerzbank, ndërsa përpiqet të rrisë përfitueshmërinë. Të dy bankat deklaruan se nuk është e sigurt nëse do të ndodhë transaksioni. Vendimi i çon bankat gjermane më afër një marrëveshjeje historike, që do të krijonte bankën e katërt më të madhe në Europë matur nga aktivet.
Kjo vjen pas muajsh të spekulimeve mbi një shkrirje dhe bisedimeve me Qeverinë mbi mënyrën më të mirë për të stabilizuar huadhënësit më të mëdhenj të Gjermanisë, që kanë hasur vështirësi në rritjen e të ardhurave. Përfaqësuesit e sindikatave në bordin e Deutsche Bank kanë thënë se e kundërshtojnë shkrirjen, pasi bashkimi do të sillte shkurtime të mëdha të vendeve të punës. Sipas tyre, 30,000 vende pune mund të rrezikohen.
Ministria e Financave favorizon marrëveshjen për të siguruar që Gjermania të ketë një huadhënës me prezencë ndërkombëtarë, që të mbështesë ekonominë. Ndërsa nuk është ende e ditur se si do të organizohet shkrirja, Deutsche Bank do të duhet të shtojë 8 miliardë euro kapital nga aksionerët apo nëpërmjet shitjes së zotërimeve. Allianz ka treguar interes në blerjen e disa prej këtyre zotërimeve.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.