Kancelari austriak Sebastian Kurz humbet mocionin e votëbesimit
Kancelari austriak Sebastian Kurz dhe qeveria e tij kanë humbur mocionin e votëbesimit pas skandalit të videos së fshehtë. Partnerët e mëparshëm të koalicionit të Kurz nga partia e ekstremit të djathtë austriak FPO deklaruan se do të mbështetnin mocionion e votëbesimit të parashtruar nga Partia Socialiste.
Kurz, 32 vjeç është një nga udhëheqësit më të rinj në botë, është kancelari i parë austriak që nga Lufta e Dytë Botërore që do të mposhtet nga një mocion votëbesimi.
Presidenti Alexander Van der Bellen tani do të duhet të shkarkojë Kurz dhe të emërojë një qeveri të përkohshme deri në zgjedhjet e parakohshme të shtatorit. Në një fjalim televiziv të hënën, Van der Bellen emëroi zëvendës-Kancelarin aktual Hartwig Löger si zëvendësues të Kurt. Ai tha gjithashtu se synon të shkarkojë qeverinë të martën në mëngjes dhe në të njëjtën kohë të emërojë ata që të vazhdojnë të kryejnë punën e tyre në ditët në vazhdim, ndërkohë që zgjidhen personat e duhet në postet vakante.
Kurz i kërkoi mbështetësve të tij të respektojnë vendimin e Parlamentit para se të shtonte se ai do të mbështeste qeverinë e përkohshme. “Opozita gjithmonë kishte për qëllim të hiqte qafe Kurzin dhe sot, ata ja arritën,” u tha Kurz mbështetësve të tij. “Unë ju kërkoj të njihni këtë vendim, i cili është një vendim demokratik dhe nuk ka vend për zemërim, trishtim apo urrejtje”, shtoi ai.
Ai mbetet një personazh shumë popullor në vend sidomos me suksesin e korrur së fundmi në zgjedhjet e parlamentit europian ku partia e tij fitoi 34.5 % të votave, duke shënuar një rritje me 7.5% krahasuar me vitin 2014.
Burimi: CNN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.