Kanceri i qafës së mitrës, analizat falas – Manastirliu në Korçë: Do të ofrohen në çdo Qendër Shëndetësore

Testi HPV, për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës për gratë e grupmoshës 40-49 vjeç, do të kryhet falas në çdo qendër shëndetësore. Deklarata u bë nga Ministrja Manastirliu, gjatë inspektimit në qendrën shëndetësore të rehabilituar të lagjes 4 në Korçë.
“Investojmë jo vetëm për përmirësimin e infrastrukturës në kujdesin parësor, por edhe në programet kombëtare të parandalimit, si, kontrolli mjekësor bazë dhe depistimi i kancerit të qafës së mitrës, për të ulur barrën e sëmundshmërisë dhe për të përmirësuar shëndetin e qytetarëve”, tha Manastirliu.
Duke u ndalur tek programet e shëndetësisë elektronike, Manastirliu tha:
“Kemi shkurtuar në rang kombëtar, nga 8 në 3 ditë, kohën e pritjes për vizitë te mjeku specialist, falë programit të referimit online, që ka lehtësuar qytetarët dhe mjekët”.
Qendra shëndetësore e lagjes 4 në Korçë, i shërben 5 mijë banorëve të rajonit 2 të këtij qyteti dhe është një prej 80 qendrave shëndetësore dhe ambulancave të rindërtuara, pjesë e programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave moderne shëndetësore.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.