Kaos në rrugët e Parisit-Vazhdojnë grevat për reformën e pensioneve
Franca u përball me ditën e dytë të kaosit në transport, ndërkohë që sindikatat thanë se nuk do të dorëzohen deri sa presidenti Emmanuel Macron të tërheqë planet për reformën e pensioneve. Pjesa më e madhe e transportit në Francë u pezullua ditën e Enjte, ku nisën dhe protestat, ndërkohë që punëtorët e hekurudhave ishin pjesëmarrës në grevë, të ndjekur nga mësuesit, doktorrët, policët, zjarrëfikësit dhe punonjësit civilë.
Rrugët e Parisit u mbushëm me tym dhe gaz lotësjellës, ndërkohë që protestat u bënë të dhunshme. Kjo protestë e vendos presidentin 41-vjeçar, Emmanuel Macron, përballë sindikatave të fuqishme.
Ditën e Premte ka pasur anulime të trenave drejt Parisit dhe 10 nga 16 linjat e metrosë, kanë qëndruar të mbyllura. Njerëzit zgjodhën makinat e tyre për të lëvizur, duke krijuar bllokime të trafikut që arritën në një total prej 350 km brenda dhe përreth kryeqytetit.
Sindikatat kryesore pritej të takoheshin të Premten në mëngjes për të vendosur mbi rrjedhën e veprimeve. Rezultati do të varet nga kush do të dorëzohet i pari; sindikatat, që rrezikojnë humbjen e mbështetjes publike nëse grevat zgjasin, apo presidenti, i cili është përballur me protesta të vazhdueshme në 2 vite e gjysmë në detyrë. Macron kërkon të thjeshtësojë sistemin e pensioneve, që përmbledh më shumë se 40 plane të ndryshme.
Punëtorët e hekurudhave dhe marinarët për shembull, mund të dalin në pension deri në 1 dekadë më herët se punëtorët mesatarë. Macron thotë se sistemi është i padrejtë e i kushtueshëm dhe se francezët do të duhet të punojnë më shumë, pavarësisht se nguron që thjeshtë të rrisë moshën e daljes në pension në 62.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.