Kapen 4 ‘skifterë’ në Korçë-Policia: Vidhnin elektroshtëpiake dhe i shisnin në dyqan! Sekuestrohet edhe pika e tregtimit
Policia e Shtetit njofton se ka finalizuar operacionin policor të koduar “Banesat”. Operacioni i zhvilluar për të goditur veprimtarinë kriminale në fushën e vjedhjes së banesave në qytetin e Korçës.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e disa vjedhjeve të ndodhura në qytetin e Korçës, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Banesat”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- K.I, 28 vjeç, (i dënuar më parë disa herë për veprën penale “Vjedhja”),
- K.S, 26 vjeç.
Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit:
- A.K, 20 vjeç.
Si edhe u shpall në kërkim shtetasi:
- T.L, 34 vjeç, banues në Korçë (i dënuar me parë disa herë për veprën penale “Vjedhja”)” njofton Policia.
Nga veprimet hetimore të kryera, dyshohet se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të jenë autorë të ngjarjeve të mëposhtme:
Në datë 04.08.2018, është vjedhur banesa e shtetases M.K, në lagjen nr.12, ku është marrë një televizor.
Në datën 16.10.2019, janë vjedhur banesat e shtetasit Th.Ç, dhe shtetases P.G, në lagjen nr.4, ku janë vjedhur tre televizorë dhe tre soba.
Në datën 18.10.2019, është vjedhur banesa e shtetasit I.K, në lagjen nr.1, ku kanë marrë sende dhe orendi të ndryshme shtëpiake.
Shtetasit K.I, A.K dhe T.L, sendet e vjedhura në banesa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës, i shisnin më pas tek pika e tregtimit të shtetasit K.S., në lagjen nr.8 të qytetit, ndaj së cilës u vendos masa e sekuestros preventive.
Policia njofton se po vijon puna për kapjen e shtetasit T.L, si dhe dokumentimin me prova ligjore edhe të disa vjedhjeve të tjera, ku autorë të tyre dyshohet të jenë shtetasit e lartpërmendur.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gykatës të Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Vjedhja më shumë se një herë, kryer në bashkpunim” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.\
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.