Karburantet, 2.23 mln lekë gjoba. Penalizimet për periudhën korrik-nëntor, shkeljet nga 24 subjekte
24 subjekte të tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve dhe të lëndëve djegëse, pajisjeve nën presion dhe instalimeve elektrike janë gjobitur nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industriale përgjatë periudhës korrik-nëntor, teksa vlera totale e masave administrative arrin në 2.32 mln lekë. Shkaqet për vendosjen e gjobave janë të ndryshme sipas subjekteve, duke filluar që nga mungesa e dokumentacionit tekniko-ligjor, moslejim i kontrolleve, shfrytëzimi i pajisjeve nën presion të paregjistruara, etj.
Megjithatë, pavarësisht gjobitjeve të herë pas hershme, ky dikaster duket se ka hapur vështirësi në mbledhjen e të gjitha detyrimeve nga subjektet. Vetëm pak kohë më parë ky dikaster publikoi listën e debitorëve, duke filluar nga vitit 2007 e deri në vitin 2020, duke renditur të gjithë subjektet publikë, privatë apo individë, të cilët nuk kanë likuiduar detyrimet e që për pasojë rezultojnë borxhlinj ndaj këtij institucioni. Vlera totale e këtyre detyrimeve arrinte në 127.6 mln, ndërkohë që 2020-a është viti me detyrimin më të lartë të papaguar, me 29.8 mln lekë, ndërkohë që pas tij vjen viti 2015 me 18.9 mln lekë.
Për subjektet debitore ISHTI ka pezulluar çdo shërbim, si dhe nuk kryen asnjë analizë mbi plotësimin e standardeve teknike të naftës dhe nënprodukteve të saj, që do të kërkohet nga subjektet. Këto shërbime do të jetë të pezulluara deri në arkëtimin e plotë të detyrimit financiar.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.