Karburanti i avionëve – “Air BP Albania” rrezikon gjobë nga Konkurrenca
Kompania “Air BP Albania” rrezikon të gjobitet për abuzim me pozitën dominuese, në tregun e furnizimit me karburant të avionëve në aeroportin e Tiranës. Pas hetimit të thelluar që u hap në shtator të vitit të kaluar, inspektorët e Autoritetit të Konkurrencës kanë arritur në konkluzionin se kjo kompani ka abuzuar me pozitën monopol, duke vendosur çmime abuzivisht të larta.
Në mbyllje të raportit të hetimit, grupi i punës i ka propozuar, Komisionit të Konkurrencës gjobitjen e “Air BP Albania. Sipas ligjit për mbrojtjen e Konkurrencës, gjoba mund të jetë nga 3% deri në 10% të xhiros së vitit paraardhës. Megjithëse raporti i hetimit është paraqitur prej muajsh, Komisioni i Konkurrencës duket se po heziton dhe ende nuk ka dalë me një vendim zyrtar rreth kësaj çështjeje.
Që nga dhënia me koncesion e Aeroportit të Tiranës, Air BP Albania është i vetmi subjekt që ofron furnizimin me karburant për avionët. Sipas hetimit të Autoritetit të Konkurrencës, çmimet e aplikuara nga kjo kompani janë shumë të larta krahasuar me vendet e tjera. Rrjedhimisht, marzhet e fitimit të AIR BP Albania janë shumë më larta, qoftë krahasuar me kompanitë e tregimit të karburanteve të tjera në Shqipëri, por, edhe në raport me tregun e furnizimit me karburant të avionëve në vendet e tjera. Sipas bilancit zyrtar të AIR BP Albania, për vitin 2015 fitimi neto i kompanisë ishte 469 milionë lekë ose rreth 3.4 milionë euro.
Marzhi i fitimit neto kundrejt xhiros vjetore ishte 37%, normë kjo jashtëzakonisht e lartë, jo vetëm për tregun e karburanteve por, për shumicën e tregjeve të tjera në vend. Kjo dëshmon qartë se Air BP Albania po nxjerr përfitime maksimale nga pozita e vet monopoliste. Çmimi i lartë i karburantit është një nga elementët që rrisin ndjeshëm kostot e operimit në Aeroportin e Tiranës, duke iu shtuar kostove të tjera aeroportuale, që janë më të lartat në rajon. Kjo reflektohet në çmime të larta të biletave dhe në mungesën e fluturimeve të mirëfillta low cost.
Deri tani, qeveria shqiptare ka dështuar të adresojë problemin e kostove të larta për operatorët në aeroportin e Tiranës. Një vit më parë, u shpall me bujë heqja e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare. Por, deri tani, efektet e kësaj mase janë 0, sepse Aeroporti i Kukësit është jo funksional dhe nuk askush nuk di të thotë për sa kohë akoma. I vetmi rezultat nga rishikimi i kontratës ka qenë zgjatja e koncesionit të Aeroportit të Tiranës me dy vjet të tjera, duke i dhënë përfitime të mëtejshme kompanisë koncesionare, që vitin e kaluar u ble nga një konsorcium kinez.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.