Karburanti i gjelbër për aviacionin është gati! – Ja arsyet pse nuk po përdoret ende

Ka shumë gjasa që në një të ardhme të afërt transporti ajror të furnizohet nga vajrat e përdorura të gatimit ose mbetjet bujqësore. Megjithatë kjo nuk është një ide e re pasi në vitin 2011 u realizuan fluturimet e para duke përdorur SAF. (Karburanti i Qëndrueshëm i Aviacionit).
Qëllimi i përdorimit të tij është të frenojë emetimet e karbonit me 80% mesatarisht sipas shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror.
Industria e aviacionit është zotuar se deri në vitin 2050, emetimet globale të karbonit do të jenë sa gjysma e atyre që ishin në 2005. Më pas ajo shpreson të arrijë zero neto, ose në mungesë të plotë të emetimeve, qysh në një dekadë pas kësaj. Ky është një plan jashtëzakonisht ambicioz, dhe në të cilin SAF përbën 50% deri në 75% të reduktimit total të emetimeve , në varësi të skenarëve të ndryshëm që mund të zhvillohen.
E megjithatë lind pyetja pse nuk po përdoret ky lloj karburanti?
SAF është një karburant “drop in”, që do të thotë se mund të përdoret tani, në avionët ekzistues, me pak ose aspak modifikime.
“Kjo është kritike dhe shumë e dobishme për industrinë e aviacionit, sepse nuk ka nevojë për të investuar në infrastrukturë të re ose avionë të rinj, dhe është e mrekullueshme edhe për aeroportet, sepse ata mund të përdorin të njëjtën infrastrukturë magazinimi dhe furnizimi me karburant, nga ky këndvështrim, SAF është i shkëlqyer”, thotë Andreas Schafer, profesor i energjisë dhe transportit në University College London.
SAF ka një gjurmë të ulët karboni sepse prodhohet nga produkte të mbetjeve, ku karboni tashmë është emetuar, ose nga bimë që përdorin CO2 për t’u rritur.
Problemi është se aktualisht është shumë më i shtrenjtë për t’u prodhuar se karburanti i zakonshëm i avionëve, edhe me çmimet e larta të naftës sot.
“Nuk ka asnjë rast real biznesi që sektori të investojë në të për momentin,” shpjegon Schafer, që do të thotë se linjat ajrore nuk kanë asnjë nxitje për të përdorur SAF përveç reduktimit të emetimeve, por me çmimet aktuale dhe në mes të një krize globale të shkaktuar nga Covid , ky është një luks që ata nuk mund ta përballojnë.
Për të ulur çmimin, prodhimi duhet të rritet ndjeshëm dhe lloje të reja SAF duhet të dalin në treg.
Sot, shumica e SAF vjen në formën e biokarburanteve të prodhuara nga yndyrnat e mbeturinave, si vaji i përdorur për gatim, ose nga pemët vajore të rritura qëllimisht në tokë të degraduar. Megjithatë, nuk ka mjaftueshëm nga këto lëndë të para për momentin për të furnizuar industrinë në një shkallë domethënëse. CNN
Vjola Gremi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.