Karikimi i makinave elektrike – Projekti i ri do të ndërtojë 180 stacione nga Italia në Norvegji

Për të mbështetur përshtatjen me makinat elektrike, konsumatorët kërkojnë të dinë se sa e thjeshtë është karikimi i tyre, krahasuar me mbushjen me naftë apo benzinë. Tesla ka ndërtuar qindra stacione të karikimit në botë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Australi, Europë dhe Kinë.
Prodhues të tjerë si BMW, Ford dhe Volkswagen janë bashkuar për një rrjet europian të quajtur IONITY, për të instaluar 400 stacione të karikimit në Gjermani, Norvegji dhe Austri, deri në 2020-ën.
Tashmë, dy kompani të tjera; gjiganti gjerman, E.ON dhe firma daneze CLEVER, janë bashkuar për të ndërtuar një tjetër rrjet të stacioneve të karikimit. Në 3 vitet e ardhshme, rrjeti i tyre do të ofrojë 180 stacione në 7 vende europiane mes Norvegjisë dhe Italisë.
Çdo stacion do të ketë një kapacitet prej 150 kW, duke kaluar stacionet e Tesla, megjithatë poshtë kapacitetit të IONITY prej 350 kW. Iniciativa ka marrë deri më tani 10 milionë euro financim nga Komisioni Europian dhe është vetëm 1 nga 4 projektet që pritet të eksplorohen.
Seritë e para të stacioneve do të vendosen në Gjermani dhe Danimarkë, me secilin që do të përmbajë nga 2-6 karikues. Sipas E.ON, këto do të kenë kapacitet për të karikuar plotësisht një bateri me limit 400 km, në 20-30 minuta.
Partneriteti i dy firmave shënon një hap tjetër përpara drejt adaptimit të makinave elektrike. Duke qenë thjesht një alternativë më e mirë se nafta apo benzina mund të mjaftojë për konsumatorët, megjithatë këto projekte mund ta bëjnë më të lehtë zhvendosjen.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.