Katalonja në protestë – Separatistët kalojnë natën rrugëve të Barcelonës

Separatistët katalanë kanë vazhduar të protestojnë edhe gjatë orëve të vona të mbrëmjes, pas një dite të gjatë me protesta dhe demonstrata paqësore.
Reagimi i ashpër i atyre që janë në favor të pavarësisë së rajonit të Katalonjës, vjen pas vendimit të Madridit zyrtar për të zhvilluar mbledhjen e kabinetit qeveritar pikërisht në kryeqytetin e rajonit, Barcelonë.
Pavarësisht se protestat ishin paqësore, gjatë ditës policia tentoi t`i hiqte me dhunë nga rruga protestuesit duke arrestuar edhe 13 prej tyre. Ndërkohë, kabineti qeveritar vazhdonte mbledhjen e tij, në një shfaqje force por edhe si një përpjekje për negociata. Me flamurin e pavarësisë së Katalonjës, mijëra protestues gjatë natës bllokuan rrugët dhe autostradat kryesorë të qytetit.
Kjo është hera e parë që prej fillimit të krizës së pavarësisë që kabineti qeveritar mblidhet në këtë rajon. Kryeministri Pedro Sanchez mund ta përdorë këtë lëvizje, për të hyrë në negociata, duke i dhënë më shumë autonomi rajonit, e njëkohësisht duke shpëtuar mazhorancën e tij të brishtë, nëpërmjet mbështetjes nga partitë parlamentare pro-pavarësisë.
Autonomia Katalonjës i`u hoq pas referendumit të kundërshtuar të pavarësisë, 2 vite më parë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.