Katalonja shpall Pavarësinë – Madridi kundërpërgjigjet me “kontroll direkt”

Parlamenti rajonal i Katalonjës deklaroi pavarësinë nga Spanja, pak minuta përpara se Madridi të vendoste “kontroll direkt” mbi rajonin. Mocioni i pavarësisë kaloi në asamblenë katalanase me 70 vota pro, 10 kundër dhe 2 abstenim.
Parlamenti i Katalonjës ka 135 anëtarë, por politikanët e Partisë Socialiste, të Partisë Popullore dhe të Partisë Ciudadanos abstenuan, madje duke protestuar. Menjëherë pas këtyre vendimeve, indeksi i Spanjës, IBEX ra me rreth 2%, ndërsa edhe euro humbi terren përballë dollarit amerikan.
Përgjigjja e menjëhershme e Bashkimit Europian, erdhi nëpërmjet rrjetit social, Twitter. Donald Tusk, president i Këshillit Europian, u shpreh se, Brukseli do të bisedojë vetëm me Madridin, duke lënë të kuptohet se pavarësia nuk do të njihet. Ndërkohë, më herët gjatë ditës, duke folur në Senat, kryeministri spanjoll deklaroi se nuk kishte rrugë tjetër, përveçse të shkarkojë Presidentin katalanas Carles Puigdemont, zëvendësin e tij dhe të gjithë ministrat rajonalë dhe të aktivizonte nenin 155 të kushtetutës që vendos autoritetet të drejtpërdrejtë të Madridit mbi rajon.
“Masat e jashtëzakonshme janë të nevojshme sepse nuk ka zgjidhje tjetër për Katalonjën përveç rikthimit të ligjit, demokracisë dhe stabilitetit. Qeveria rajonale po përçan familjet dhe shoqërinë. Ajo që u nevojitet katalanasve nuk është mbrojtje nga imperializmi spanjoll, siç i thonë ata, por nga një minorancë që në mënyrë të patolerueshme e shpallin veten pronarë të Katalonjës”, tha Rajoy.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.