Kategoritë e përjashtuara nga TVSH – Ahmetaj: Zejtarët dhe tregtarët ambulantë jashtë skemës

Deklarata e kryeministrit Rama për shtrirjen e sistemit të TVSH te biznesi i vogël ngjalli reagime të forta te ky i fundit. Nisma e qeverisë për këtë është në mbështetje për të luftuar evazionin fiskal dhe eliminimin e konkurrencës së pandershme në treg. Por në një intervistë për TV SCAN, kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, Albert Nasto, u shpreh se “eksperimentimi” që po bëhet për futjen e taksës së TVSH të kjo sipërmarrje, do t’i çojë në faliment.
“Ose do rrisim çmimet në mënyrë të atillë të largojmë klientët, që konsumatori me këtë rënie në fuqi blerëse që ka rënë rreth 50% në 2016. Biznesi i vogël të rrisë çmimin e çdo artikulli do të thotë me duart e veta të falimentojë.”, tha Nasto.
Por në daljen e parë për mediat pas riemërimit në krye të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj bëri me dije se tashmë qeveria do të bëjë diferencim në zinxhirin e TVSH për zejtarët dhe tregtarët ambulantë të bashkive.
“Për biznesin e vogël do të kemi një deklarim të thjeshtëzuar një herë në tre muaj dhe patjetër që Ministria e Financave, tani që po harton draftin, po kujdeset që zejtarët, në bazë të ligjit të zejtarisë, të mos jenë pjesë e sistemit të shtrirë të TVSH-së deri në nivelin zero. Dhe tregjet formale të bashkive, pra që janë dhënë me lejet e bashkisë, të trajtohen ndryshe”, tha Ahmetaj.
Edhe pse ka pak kohë që është krijuar, Dhoma Kombëtare e Zejtarëve aktualisht nuk ka një shifër të saktë të numrit të zejtarëve të lirë që zhvillojnë aktivitetin e tyre ekonomik në vendin tonë. Sipas statistikave paraprake, pranë kësaj dhome janë regjistruar rreth 5 mijë zejtare nga sektorë të ndryshëm. Aktualisht në gjithë vendin janë të regjistruar 135 mijë biznese të vogla dhe të mesme, që zënë afro 90% të sipërmarrjes në vend.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.