Kategorizimi i diplomave – Infermierët e diplomuar në vitet 2000-2008 gjejnë zgjidhje
Shqetësimi i infermierëve që kanë përfunduar studimet në vitet 2000-2008 lidhur me kategorizimin e diplomave duket se do të zgjidhet. Në një interpelancë ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla kërkoi ndjesë në emër të gjithë punonjësve që kishin respektuar ligjin në përgjigjen e dhënë ndaj problematikës së tyre, por kjo e fundit nuk kishte marrë zgjidhje.
“Ju jeni drejtuar platformës së bashkëqeverisjes dhe është detyra e ministrin për zgjidhjen e kësaj çështje. Nuk ka qenë një proces i thjeshtë për t’u analizuar, sepse ishin 8 breza infermierësh që rrezikonin uljen në pagë dhe karrierën e tyre, ndaj për të dhënë një përgjigje, ne ju drejtuam Universitetit të Mjekësisë, për të bërë një punë profesionale, në përputhshmëri me kuadrin ligjor”, u shpreh Nikolla.
Ndërkohë që Rektori i Mjekësisë, Arben Gjata, dha lajmin e mirë për të gjithë këtë kategori infermierësh të cilët do t’iu njihet diploma si Master Shkencor.
“Na rezultonte se kurrikula ishte ngritur në bazën e ekspertizës zvicerane dhe amerikane dhe kishte një numër më të vogël të orëve të kryera, por ishte më i ngjeshur si program. Nga ana e programeve mësimore ishin të ngjashme dhe ne nuk kishim arsye pse të mos e quanim “Master Shkencor”. Nga ana tjetër, vetëm në Universitetin e Tiranës, këto infermiere ishin futur në programe doktorature. Pra, ky ishte argumenti i dytë ligjor që ne gjetëm. Nisur nga këto dy elemente, grupi i punës ka parë dokumentacionin dhe arkivat dhe në fund propozimi ishte që t’i dërgohej Ministrisë së Arsimit për njohjen e diplomave si “Master Shkencor”, deklaroi Gjata.
Ndërkohë që për uljen e pagave ka reaguar Ministria e Shëndetësisë e cila ka pezulluar të gjitha masat për uljen e pagës për infermierët e diplomuar nga vitet 2000 – 2008.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.