KE akuzon Apple për sjellje anti-konkurruese / Kompania bën më të shtrenjta shërbimet si Spotify

Komisioni Evropian ka akuzuar Apple për atë që e konsideron si sjellje anti-konkurruese kundër shërbimeve të transmetimit të muzikës, të tilla si Spotify, SoundCloud dhe Deezer.
Komisioni beson se Apple po shtrembëron konkurrencën në tregun e transmetimit të muzikës sepse po abuzon me pozicionin dominues që gëzon falë App Store-it të tij të përdorur gjerësisht.
App Store lidh zhvilluesit e aplikacioneve nga e gjithë bota me përdoruesit e pajisjeve Apple, si iPhone dhe iPad. App Store pret gati 2 milion aplikacione, disa prej të cilave ofrojnë shërbime të ngjashme me aplikacionet e dizenjuara nga vetë Apple.
Përdoruesit e Apple mund të shkarkojnë aplikacione vetëm përmes App Store, një ekskluzivitet që në mënyrë efektive e kthen dyqanin në një “derëtar”, tha Komisioni. Brukseli konsideron se pajisjet dhe softueri i Apple “formojnë një ‘ekosistem të mbyllur’ në të cilin Apple kontrollon çdo aspekt të përvojës së përdoruesit.”
“Nëse keni një iPhone nuk mund të shkoni askund tjetër,” tha Margrethe Vestager, Komisionerja Evropiane për Konkurrencën, e cila ka udhëhequr beteja të tjera kundër gjigandit të teknologjisë në të kaluarën. “Apple mban një monopol në App Store.”
Në veçanti, Komisioni është i shqetësuar për dy rregulla specifike që Apple u imponon zhvilluesve të aplikacioneve.
Nga njëra anë, Apple u ngarkon zhvilluesve një tarifë komisioni prej 30% në të gjitha pajtimet dixhitale. Apple Music, shërbimi i transmetimit të muzikës nga vetë kompania, kushton 9,99 € në muaj dhe përjashtohet nga kjo tarifë. Ndërkohë, Spotify Premium ka një çmim mujor prej 11.99 €.
D.B – SCAN
Burimi: Euronews
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.