KE bën thirrje për taksat – Kërkon uljen e taksës mbi punën dhe rritjen e normave për shtëpitë e shitjet

Qeveritë e Eurozonës duhet të ulin taksat mbi punën dhe të kompensojnë për rënien në të ardhura duke taksuar pasuritë e paluajtshme apo konsumin, deklaron Komisioni Evropian, ndërkohë që vendet anëtare të bllokut përgatisin buxhetet për vitin që vjen.
Kjo thirrje vjen në një dokument që krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian do ta prezantojë në takimin e ministrave të financave të Eurozonës ditën e Hënë, kur të mblidhen në Bruksel për takimin e tyre mujor. Edhe pse raporti teknik i është drejtuar të gjithë qeverive, rëndësi e veçantë mund të ketë Italia, që ka një ndër normat më të larta të taksës për punën në të gjithë bllokun.
“Disa vende anëtare mund të eksplorojnë mundësinë e uljes së taksës mbi punën duke rritur disa forma të tjera të taksimit që nuk ndikojnë rritjen ekonomike”, citoi në raport komisioni, duke shtuar se kjo mund të favorizojë punësimin dhe rritjen ekonomike.
Në 19 vendet që ndajnë euron, Gjermania, Austria, Lituania dhe Letonia mund të përballonin një ulje të pa kompensuar të taksës mbi punën, raporton komisioni, ndërsa për Italinë, Belgjikën dhe Francën, financat publike do të cenoheshin rëndë. Në dokumentin e adresuar për ministrat e financave, komisioni nënvizoi se taksat për shtëpitë janë ato që kanë ndikimin negativ më të ulët ndaj rritjes ekonomike, ndjekur nga taksa mbi konsumin.
Komisioni argumenton se vendet me marsh të ulët fiskal, si Italia, duhet të zhvendosen te këto masa ndërsa reduktojnë taksën mbi punën.
Me barrën më të madhe publike në Eurozonë pas Greqisë, qeveria e qendrës së majtë e Italisë po konsideron uljen e taksës mbi punën por nuk ka bërë të ditur se do ta financojë këtë hendek duke rritur normat e tjera, prej shqetësimeve se do të humbte suport nga votuesit përpara zgjedhjeve në Maj të vitit që vjen.
Klevis Llaha/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.