“KE-FMN”, takim për Ballkanin – Vlerësohen reformat, kandidatët angazhohen
Në takimin vjetor mes Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Komisionit Europian, palët u fokusuan te 6 vendet e Ballkanit Perëndimor duke zhvilluar edhe takime të nivelit të lartë, si me ministrat ashtu edhe me zyrtarë nga të 6 vendet.
Komisioni Europian njofton se, takimi u fokusua të programi i “zhvillimit të forcimit të qeverisjes ekonomike dhe menaxhimit të financave publike”, që aktualisht po implementohet nga Fondit Monetar Ndërkombëtar në Europën Jug-Lindore.
6 vendet e Ballkanit janë; Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina.
Përfaqësuesit e Komisionit Europian në këtë takim vlerësuan me tone pozitive progreset e ndjeshme të këtyre 6 vendeve gjatë vitit të kaluar, në linjë me objektivat e Bashkimit Europian për të promovuar qeverisjen ekonomike në rajon.
Këto të fundit ndërkohë vlerësuan maksimalisht mbështetjen e përbashkët nga FMN dhe Komisioni Europian për zhvillimin ekonomik të rajonit, që sipas tyre i ka ndihmuar që të përmbushin kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Programi në fjalë, financohet nëpërmjet një granti me vlerë 8 milionë euro nga fondet IPA. Forcimi i menaxhimit të financave publike si dhe adresimi i problematikës së mbledhjes së të ardhurave janë thelbësore në implementimin e reformave kombëtare, që më pas do të sjellin edhe anëtarësimin e vendeve kandidate në union.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.