KE projekton “mbi” qeverinë – Projekton rritje në 3.8%, rishikimi i dytë në 1 muaj
Për të dytën herë në më pak se një muaj, Komisioni Europian ka rishikuar në rritje ekonominë shqiptare gjatë këtij viti dhe atij të ardhshëm.
Krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian vlerëson se, ekonomia shqiptare do të rritet në nivelin e 3.8% gjatë këtij viti, që është mbi ambiciet e vetë qeverisë shqiptare. Në raportin e 11 majit të këtij viti, projektohej një rritje pranë 3.7%.
Sa i përket vitit të ardhshëm, institucioni projekton një rritje të ekonomisë me 4.1%, ndërkohë që më pak se një muaj më parë vlerësonte, po në rishikim, një rritje pranë 3.9%.
Në raportin e muajit Janar, ekonomia shqiptare vlerësohej të rritej me 3.5% për 2017, dhe 3.6% për 2018. Këto vlerësime, Komisioni Europian i ka publikuar në raportin e zgjeruar për reformat e 5 vendeve kandidate dhe ato potencialisht kandidate, i publikuar paraprakisht më 23 Maj të këtij viti.
Tani, ky raport vjen i plotë dhe me një kudër më të qartë makroekonomik, veç rekomandimeve që janë të njëjta me ato të 23 majit. Sa i përket vitit 2019, Komisioni Europian vlerëson një normë rritje pranë 4.2%, mbi çdo projeksion tjetër nga institucionet ndërkombëtare.
Për këtë vit, Shqipëria rezulton vendi me rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon, pas Kosovës, ku rritja projektohet në 4.5%. Borxhi publik projektohet të zbresë në 68.9% të PBB-së gjatë këtij viti, 66.3% vitin e ardhshëm, dhe 62.8% në 2019.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.