“KE” publikon raportin: “Ekonomia shqiptare në ‘formë’, por zgjedhjet ngadalësuan reformat”
Komisioni Europian ka publikuar raportin e tremujorit të tretë për vendet kandidate, mes të cilave edhe Shqipëria. Ky është një raport periodik që vlerëson ecurinë e vendeve kandidate për t’u bërë pjesë e unionit, por edhe që jep parashikime dhe projeksione për ekonominë.
Në kapitullin dedikuar Shqipërisë, në pjesën e zhvillimeve kryesore, vihet theksi te fitorja e Partisë Socialiste me mazhorancë qeverisëse në zgjedhje, vizita e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe fjalët pozitive për ekonominë, por edhe për ngadalësimin e reformave si pasojë e zgjedhjeve dhe tranzicionit të zgjatur të qeverisë. Sa i përket kuadrit makroekonomik, vlerësohet pozitivisht vrulli i ekonomisë, që merr shtysë, thotë Komisioni Europian, nga Investimet e Huaja Direkte, kryesisht nga “TAP” dhe “Devolli”.
Edhe rimëkëmbja e eksporteve, nënvizohet në raport, ka pasur ndikim në rritjen ekonomike. Aktiviteti i ndërtimit, besimi konsumator dhe ai i biznesit vlerësohen gjithashtu me tone mjaft pozitive. Me nota tejet pozitive vlerësohet edhe sektori bankar dhe ai financiar në tërësi.
“Sektori bankar në tërësi është i mirëkapitalizuar”, thuhet mes rreshtave, ndërkohë që i vihet rëndësi edhe rënies së kredive jo performuese dhe balancimit të raportit të huave, nga monedhat e huaja drejt lekut. Sa i përket projeksioneve, ato mbeten të pandryshuara në krahasim me raportin e pranverës, në 3.7% rritje për këtë vit, dhe 3.9% për vitin e ardhshëm.
Pavarësisht kësaj, Shqipëria vijon të jetë vendi, që sipas Brukselit, do të ketë rritjen më të madhe ekonomike në rajon për 2017 dhe 2018.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.