KE rishikon Eurozonën, projekton një ngadalësim të ekonomisë për këtë vit

Komisioni Europian deklaroi se rritja ekonomike e Eurozonës do të ngadalësohet këtë vit dhe do të rimëkëmbet më pas në 2018-ën. Për ekonominë Britanike, Komisioni tregon për një përgjysmim të rritjes deri në 2018-ën dhe paralajmëron gjithashtu për rreziqe politike.
Krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian parashikon që rritja ekonomike në 19 vendet e monedhës së përbashkët do të ngadalësohet në 1.6% këtë vit, nga 1.7% që ishte vitin e kaluar. Për vitin 2018, komisioni pret që ekonomia të rifitojë vrull duke u rritur me 1.8%.
Parashikimet janë rishikuar në rritje të lehtë për këtë vit dhe për 2018-ën, krahasuar me projeksionet e bëra në Nëntor, ku produkti i Brendshëm Bruto i Eurozonës pritej në 1.5% këtë vit dhe 1.7% në 2018-ën. Komisioni Europian bën të ditur se rishikimi vjen prej performancës më të mirë se sa pritej në gjysmën e dytë të 2016-ës, megjithatë shton se perspektiva ka një pasiguri të madhe.
Qëllimet e administratës së Donald Trump në disa fusha kryesore të politikave që nuk janë bërë ende të qarta, shihen si shkaku kryesor i pasigurive në ekonominë e bllokut. Komisioni deklaron se rreziqe të tjera përfshijnë nisjen e negociatave për Brexit këtë vit dhe zgjedhjet më vonë gjatë vitit në Europë.
Britania pritet të ketë koston më të madhe për pasiguritë politike në lidhje me bisedimet për Brexit. Produkti i Brendshëm Bruto i Britanisë pritet të bjerë në 1.5% këtë vit dhe 1.2% në 2018-ën, nga 2% që ishte në vitin e kaluar. Komisioni Europian nënvizon se investimet e bizneseve do të ndikohen nga pasiguria e vazhdueshme, ndërsa konsumi privat pritet të dobësohet prej rënies së të ardhurave reale në dispozicion.
Klevis Llaha/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.