KE rishikon Eurozonën – Rrit projeksionet për ekonominë, pret rënie të papunësisë

Komisioni Europian rishikoi në rritje projeksionet për ekonominë e Eurozonës këtë vit dhe parashikoi një normë më të ulët të papunësisë, duke treguar se rimëkëmbja e bllokut po rifiton vrull. Blloku i valutës së përbashkët pritet të rritet me 1.7% këtë vit dhe 1.8% në 2018-ën. Krahu ekzekutiv rriti projeksionin nga 1.6% që qëndronte për këtë vit dhe la vitin 2018 të pandryshuar.
Parashikimet konfirmojnë se të gjithë vendet e Eurozonës do të rriten këtë vit edhe tjetrin, me Gjermaninë që do të përshpejtohet në 1.9% për 2018-ën. Projeksionet për Spanjën dhe Portugalinë janë ndryshuar gjithashtu. Jashtë Eurozonës, Komisioni rishikoi në rritje edhe ekonominë e Britanisë, në 1.8% këtë vit, nga 1.5% që qëndronte më parë. Kjo tregon se ekonomia britanike do të goditet më pak se ç’pritej prej vendimit për të dalë nga BE. Brexit do të qëndrojë gjithashtu një nga rreziqet më të mëdha të bllokut në muajit që vijnë, thekson krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian.
Komisioni nënvizoi se rreziqe do të ketë edhe nga politikat ekonomike dhe tregtare të Shteteve të Bashkuara. Sipas komisionit, sektori bankar i Europës përbën një shqetësim gjithashtu. Për papunësinë, Komisioni Europian pret që të qëndrojë e lartë, megjithatë, do të tërhiqet në 9.4% këtë vit, përpara se të shënojë 8.9% në 2018-ën. Inflacioni pritet në 1.6% këtë vit dhe 1.3% në tjetrin, duke i rishikuar poshtë vlerësimeve të Bankës Qendrore Europiane.
Gjendja e financave publike në vendet e Eurozonës po përmirësohet, ndërkohë që Komisioni Europian pret që borxhet dhe deficitet të bien në raport me Produktin e Brendshëm Bruto të bllokut. Borxhi i Italisë, që është i dyti më i lartë pas Greqisë, pritet të rritet lehtë këtë vit në 133.1% në raport me PBB, nga 132.6% që ishte në vitin e kaluar dhe pastaj të bie në mënyrë graduale.
Franca do të ketë një deficit më të lartë nga sa pritej më parë në 2 vitet e ardhshme, sipër rregullave të Bashkimit Europian, duke sjellë një arsye konflikti me presidentin e ri Emmanuel Macron. Deficiti i Francës do të arrijë 3% në raport me PBB këtë vit dhe 3.2% në 2018-ën, tregon Komisioni. Suficiti tregtar i Gjermanisë, që kritikohet gjerësisht në Bruksel, do të ngadalësohet në 8% të PBB këtë vit dhe 7.6% vitin tjetër.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.