KE rishikon Shqipërinë – Më optimiste për 2017, më pesimiste për 2018 dhe një apel financave

Ekonomia shqiptare do të rritet me një hap më të shpejtë se ç`mendohej një muaj më parë, thotë Komisioni Europian në raportin e fundit të publikuar. Raporti në fjalë është ai i vjeshtës, në të cilën publikohen projeksionet dhe vlerësimet jo vetëm për ekonomitë e vendeve të Bashkimit Europian, por edhe për vendet kandidate, mes të cilave edhe Shqipëria. Vendit tonë i dedikohet një profil i posaçëm.
Sa i përket projeksioneve për këtë vit, ato janë rishikuar në rritje, nga 3.7% që thuhej në projeksionet e pranverës dhe që u rikonfirmuan në raportin e vendeve kandidate të publikuar në mes të Tetorit, në 4% në raportin e sapopublikuar. Por, nga ana tjetër, Komisioni Europian ka rishikuar lehtë në rënie projeksionet për rritjen ekonomike gjatë vitit të ardhshëm, në 3.8% rritje, nga 3.9% që projektonte më parë.
Brukseli sqaron se, ky përkeqësim i projeksioneve dhe ngadalësimi i rritjes do të vijë si pasojë e ngadalësimit të investimeve, që lidhen ngushtë me dy projektet madhore në vendin tonë, TAP dhe Devollin.
Sa i përket vitit 2019, Komisioni Europian vlerëson se, ekonomia shqiptare do të rritet me një normë pranë 4.2%.
Edhe projeksionet e papunësisë janë rishikuar pozitivisht. Këtu, Komisioni Europian sqaron se, rritja do të marrë shtysë nga konsumi privat.
Mes rreshtave në raport ndërkohë, thuhet se, risqet politike janë reduktuar ndjeshëm pas zgjedhjeve të Qershorit, dhe që lidhen me konsolidimin fiskal. Gjithsesi, thotë Brukseli në raport, risqet mbeten të pranishme dhe lidhen ngushtë me dobësinë në menaxhimin e financave publike, që përbëjnë një sfidë për ekzekutimin e buxheteve publike sipas planit.
Më tej, Komisioni Europian thotë se, risqet ndaj rritjes ekonomike janë ulur ndjeshëm pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe pas reflektimit të politikave akomoduese të Bankës Qendrore në rritjen e kreditimit. Kur bëhet fjalë për borxhin publik, Komisioni Europian nuk ngurron të theksojë se, do të bjerë, por shumë ngadalë.
Sa i përket ecurisë së ekonomisë në tërësi, Brukseli vë theksin te konsumi i lartë privat, rrjedhojë edhe e rritjes së pagave, investimet e forta, rritjen e eksporteve, rimëkëmbjen graduale të inflacionit dhe rritjen e punësimit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.