KE “rrëzon” amnistinë fiskale – Raporti/ Mundësi për evazorët fiskalë dhe pastrim parash
Komisioni Europian shprehet kundër nismës së qeverisë për amnistinë fiskale dhe penale, duke renditur një sërë arsyesh. Në një raport të publikuar së fundmi, lidhur me këtë iniciativë, Komisoni Europian nënvizon se nuk janë bërë konsultimet e duhura para depozitimit të projektligjit në Parlament dhe se draftit i mungon një vlerësim i nevojshëm i pasurive që do të legjitimohen dhe i të ardhurat që do të gjenerohen nga ky legjitimim. Në raportin e tij Komisioni nënvizon se për “Moneyval” është tejet e paqartë se si “do të implementohet Ligji Kundër Pastrimit të Parave në kontekstin e një amnistie të tillë”.
Në raport evidentohet gjithashtu se projektligji në fjalë “do të krijonte një oportunitet të madh për evazorët fiskalë dhe pastruesit e parave”. Si shqetësim shikohet edhe përfshirja në ligj e personave që nuk kanë nënshtetësinë shqiptare, por kanë biznese në Shqipëri. Komisioni sheh me sy kritik edhe pandëshkueshmërinë penale të atyre që kanë fshehur pasurinë apo hetimin që do të vijë pas kësaj amnistie. Po ashtu theksohet se , nuk jepet asnjë garanci që pas amnistisë fiskale, të ashtuquajturit “Viti Zero”, sistemi do të sigurojë zbatimin e duhur të legjislacionit fiskal në mënyrë që praktikat e evazionit fiskal të ndalojnë.
Ndërsa sugjerohet se Shqipëria, së pari, duhet të ndërtojë një administratë tatimore profesionale, e cila do të bllokonte mundësinë për pastrim parash dhe korrupsion. Sakaq, miratimi dhe diskutimi i mëtejshëm i këtij projektligji u shty nga Komisioni i Ekonomisë për në muajin Shtator, ndërkohë që më herët ka pasur kritika edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Moneyval, grupet e interesit si sektori bankar apo dhomat e tregtisë.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.