KE: Të hapen negociatat me Shqipërinë – “Vendi, progres në luftën kundër krimit, drogës dhe reformën në drejtësi”
Shqipërisë duhet ti hapen negociatat me Bashkimin Europian, pasi ka rezultate te prekshme. Në këtë konkluzion ka dalë raporti i rishikuar i komisionit Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ky raport mbështetet në metodologjinë e re të aplikuar nga komisioni Europian, dhe të pranuar nga vendet e BE.
Duke folur për mediat komisioneri europian Oliver Varheli, tha se Shqipëria në veçanti ka bërë progres të prekshëm në reformën në drejtësi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, adresimin e problemit të drogërave të forta, adresimin e problemit të azilkërkuesve, por dhe arritjen e marrëveshjes për reformën zgjedhore.
“Pas miratimit në shkurt të metodologjisë së rishikuar për procesin e pranimit, ne sot po prezantojmë përditësimet tona për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ato tregojnë se vendet e kanë rritur punën e tyre dhe kanë dhënë rezultate të mëtejshme të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore të identifikuara në Konkluzionet e Këshillit të qershorit 2018.
Komisioni i mbështet fort rekomandimet e tij për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe unë shpresoj që Shtetet Anëtare do të marrin një vendim pozitiv përpara Samitit Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor në Zagreb, në maj.
Në përgatitje për Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Zagreb, më 6 dhe 7 maj, Komisioni do të paraqesë një plan zhvillimi ekonomik dhe investimesh për rajonin”, është shprehur Oliver Varheley.
Vendet anëtare të Bashkimit Europian, pritet të mblidhen në fund të muajit mars për të vendosur për hapjen e negociatave për 2 vendet, para samitit të Zagrebit. Mbetet për tu parë me interes qëndrimi i Francës dhe i Hollandës, dy shtete shumë skeptike për hapjen e negociatave.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.