KE vlerëson Shqipërinë – Rrit projeksionet dhe paralajmëron për krizën

Komisioni Europian ka publikuar projeksionet dhe vlerësimet e pranverës për vendet e unionit dhe ato kandidate, siç tashmë është bërë traditë.
Në këtë raport, institucioni, ka rishikuar në territor pozitiv projeksionet për rritjen ekonomike të vendit tonë, në 3.7% vitin aktual, nga 3.5% që projektonte më parë, dhe në 3.9% vitin e ardhshëm, nga 3.6% që projektonte më parë.
Në kapitullin dedikuar Shqipërisë, Komisioni Europian nënvizon që në fillim: “Aktiviteti ekonomik vijon të përshpejtohet në një kohë që shpenzimet konsumatore po rimëkëmben dhe investimet mbeten pranë niveleve relativisht të larta. Tregtia e jashtme është rimëkëmbur dhe pritet të zgjerohet edhe më tej. Inflacioni pritet të rritet ngadalë drejt objektivit”.
Prodhimi i ekonomisë shqiptare po përshpejtohet falë kërkesës së fortë të brendshme, thekson krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian. Shpenzimet familjare nuk po përfitojnë vetëm nga kushtet e favorshme të financimit, por edhe nga tregu i fortë i punës, thuhet në raport.
Rritja e punësimit dhe e pagave do të vijojnë të mbështesin shpenzimet konsumatore edhe në të ardhmen, vijon më tej Komisioni Europian. Ndryshe nga raportet e tjera, Komisioni europian në vlerësimin e fundit për ekonominë shqiptare flet edhe për rreziqet që burojnë nga politika, dhe flet për krizë.
Rritja e Prodhimit të brendshëm bruto pritet të forcohet, por ka edhe rreziqe, e në veçanti këto rreziqe lidhen me krizën politike që rrethon zgjedhjet parlamentare të qershorit. Kjo krizë, eventualisht mund të dëmtojë konsumin dhe investimet. Këto janë edhe dy faktorët kryesorë të rritjes ekonomike të vendit tonë.
“Nga ana tjetër, reformat strukturore dhe në veçanti ajo në sistemin e drejtësisë, mund të përmirësojë ndjeshëm klimën e biznesit e për rrjedhojë edhe potencialin e ekonomisë”-thotë komisioni europian, duke sinjalizuar kështu një rritje mbi projeksionet në rast të implementimit të reformës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.