Këmbimi valutor, dollari amerikan fiton pikë ndaj lekut – Analistët: Ky është viti i jenit japonez

Zhvillimet e fundit në tregjet valutore ndërkombëtare janë reflektuar ditën e sotme edhe në tregun vendas të këmbimit valutor. Dollari amerikan u forcua me 1.1 pikë ndaj lekut, pas fjalimit të shumëpritur të kryetarit të Rezervave Federale, Jerome Poëell. Ai ngriti moralin e investitorëve se këtë vit do të ketë një rritje më të madhe të interesave.
Në këtë mënyrë dollari rekuperon disa prej humbjeve të muajit Shkurt, por gjendet sërish shumë larg vlerave të vitit të kaluar. Shkurtin e kaluar, dollari arrinte vlerat e 127 lekëve.
Kjo ngjitje e valutës së SHBA në tregje solli një rënie të lehtë për euron, përpara se të zbulohen të dhënat e inflacionit. Megjithatë, në tregun vendas monedha e përbashkët europiane shfaqet e pandryshuar nga niveli i ditës së martë dhe të hënë. Të shumtë, analistët vendas e kanë konsideruar rënien e shpejtë të vlerës së euros në mes të muajit, një reagim psikologjik ndaj deklaratave të Bankës qendrore për të luftuar euroizimin.
Të pandryshuara ditën e sotme shfaqen edhe paundi britanik, fiksuar në kursin e 150 lekëve, si dhe dollari australian, i cili kap vlerën e 84 lekëve.
Ndërkohë, në ngritje me nga 0.2 pikë ndaj monedhës vendase u regjistrua ditën e sotme dollari kanadez, ndërsa franga zvicerane pati një rritje edhe më të madhe me 0.3 pikë.
Sa i takon pritshmërive në tregjet kombëtare, analistët më prestigjiozë, firma si BNP Paribas dhe Morgan Stanley e konsiderojnë këtë vitin e jenit japonez. Një jen më i fortë do të thotë importe më të lira për tregun vendas japonez, çka do të binte ndesh me synimin e Bankës së Japonisë për të nxjerrë ekonominë nga një fazë e gjatë deflacioniste. Megjithatë performanca e mirë e ekonomisë, më e mira e G-10, ndikuar nga zhvillimi ekonomik dhe suficiti i lartë, do ta bëjnë të vështirë frenimin e kësaj valute.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.