Këmbimi valutor, euro bie minimalisht – Dollari dhe stërlina rekuperojnë humbjet

Pas disa javësh e fiksuar në kuotën e 125.5 lekëve për njësi, monedha europiane i është rikthyer luhatjeve në tregun vendas të këmbimit valutor, duke rënë ditën e mërkurë minimalisht me 0.1 lekë për njësi. Tashmë euro këmbehet për 125.4 lekë në blerje dhe 126.1 lekë në shitje. Në vijim, nuk priten luhatje të mëdha për këtë valutë, duke qenë se dhe vetë dinamika e këtij tregu tregon luhatje minimale brenda kufijve të 0.3 lekëve për njësi.
Nga ana tjetër, dollari amerikan dhe paundi britanik kanë arritur të rekuperojnë disi humbjet, pas zhvlerësimit të djeshëm në raport me monedhën vendase. Dollari u rrit me 0.4 lekë për njësi, për të kapur kursin e 107.2 lekëve në blerje. Rritja e dollarit përkon edhe me lajmet se administrata e Trump planifikon rritjen e tarifave për 200 miliardë dollarë mallra importi nga Kina.
Rekuperimi ka qenë më i vogël për stërlinën, e cila ka fituar vetëm 0.2 lekë për njësi krahasuar me vlerat e ditës së djeshme. Në kuotën e 140.5 lekëve, paundi britanik mbetet në pritje të vendimit të Bankës së Anglisë ditën e enjte, ku parashikohet një rritje normash. Ndërsa në terma afatmesëm, ecuria e stërlinës do të jetë e varur ngushtë nga negociatat me Bashkimin Europian dhe zhvillimet ekonomike.
Sa i takon valutave të tjera, dollari australian dhe franga zvicerane nuk kanë regjistruar luhatje krahasuar me ditën e martë, ndërsa dollari kanadez është forcuar me 0.5 lekë për njësi.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.