Këmbimi valutor, euro dhe stërlina nisin javën në humbje – Rritje e lehtë për dollarin amerikan

Dy valutat kryesore në Europë, euro dhe paundi britanik, e nisën javën në humbje në tregun vendas të këmbimit valutor. Euro u zhvlerësua me 0,1 lekë në krahasim me nivelin e ditës së premte, duke prekur kështu pikën më të ulët të këtij muaji.
Pritshmëritë për valutën e përbashkët europiane nuk duken të mira as në terma afatshkurtër, pasi parashikohet një rënie ndaj dollarit amerikan, nëse nuk arrin të fitojë mbështetjen e blerësve.
Ndërkohë, situata shfaqet e zymtë edhe për stërlinën, e cila fshiu fitimet e para disa ditëve. Krahasuar me ditën e premte, paundi është plot 1.2 lekë në humbje. Kjo rënie i atribuohet deklaratave të negociatorit të Bashkimit Europian mbi Brexit, i cili paralajmëroi se një marrëveshje nuk është e sigurt.
Në nivele të ulëta shfaqet edhe dollari amerikan, pavarësisht se është ngritur me 0.2 lekë në raport me javën e kaluar. Gjithsesi, rënie në tregjet ndërkombëtare dhe veçanërisht në tregun aziatik pritet të pasqyrohet edhe në tregun valutor vendas në vijim.
Sa i takon valutave të tjera, franga zvicerane shfaqet e pandryshuar në nivelin e 115 lekëve. Po ashtu nuk ka regjistruar luhatje as dollari kanadez, i cili mbetet në kursin e 85.7 lekëve.
Ndërkohë, një rritje e lehtë vjen për dollarin australian, i cili u rrit me 0,3 pikë kundrejt lekut.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.