Këmbimi valutor, euro qëndron në trendin rënës – Shqetësimet për NAFTA dobësojnë dollarin amerikan dhe kanadez
Luhatjet ditën e sotme në tregun vendas të këmbimit valutor janë qetësuar, krahasuar me ditën e martë kur monedhat e huaja u zhvlerësuan në masë kundrejt lekut.
Euro ka mbetur në nivelin e 124 lekëve në blerje, por ka humbur 0.2 lekë për njësi në shitje, duke arritur në 124.8 lekë, çka konfirmon se valuta mbetet në trendin rënës. Madje mëngjesin e sotëm, euro ka rënë deri në 123.5 lekë, për t’u rikthyer në nivelin e 124 lekëve. Nga ana tjetër, në tregjet ndërkombëtare lojtarët besojnë se do të ketë një forcim të euros, për shkak se pritet që BQE të deklarojë përfundimin e programit të saj të lehtësimit sasior.
Paundi britanik është forcuar me 0.5 lekë për njësi, falë të dhënave për sektorin e shërbimeve në Britani, por negociatat e pasigurta për Brexit ende krijojnë re mbi perspektivën e vendit.
Ndërkohë, shqetësimet për daljen e SHBA nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë në Amerikën e Veriut (NAFTA), ka sjellë një dobësim të dollarit amerikan, dollarit kanadez dhe pesos meksikane. Në tregun vendas, dollari këmbehet sot për 105.5 lekë, duke rënë me 0.3 lekë për njësi krahasuar me ditën e djeshme, ndërsa dollari kanadez ka humbur 0.4 lekë për njësi dhe ndodhet tashmë në kuotën e 81.4 lekëve.
Ndër valutat e tjera, dollari australian është dobësuar lehtë dhe këmbehet sot për 80.5 lekë, ndërsa franga zvicerane është e qëndrueshme në kuotën e 107 lekëve për njësi.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.