Këmbimi valutor, forcohen Dollari amerikan dhe Sterlina – Euro mbetet në vend

Euro ka mbetur në nivelin e 124.2 lekë në blerje edhe gjatë ditës së martë, por është forcuar me 0.2 lekë për njësi në shitje, duke arritur në 125 lekë. Rikthimi i rreziqeve politike në Europë me sa duket e ka dobësuar valutën, e cila tashmë prej disa ditësh tashmë luhatet në nivelin e 124 lekëve.
E ndërsa valuta europiane mbetet në vendnumëro, dollari amerikan vijon të rritet në tregun e këmbimit valutor. Monedha është forcuar lehtë ditën e martë ndaj valutës kombëtare me 0.2 lekë për njësi dhe këmbehet sot me 110.5 lekë në blerje dhe 111.3 lekë në shitje.
Ndryshe nga dita e hënë, paundi britanik ka rimarrë veten, duke u rritur me plot 0.6 lekë për njësi krahasuar me vlerat e ditës së djeshme. Në tregun vendas, sterlina këmbehet për 142.3 lekë në blerje dhe 143 lekë në shitje. Megjithatë, paundi britanik mbetet në nivelin më të ulët mujor dhe kryeministrja britanike, Theresa May, po përballet me presione për të braktisur planin e saj për Brexit.
Ndër valutat e tjera, rritje ka regjistruar gjatë ditës së martë edhe dollari australian. Monedha këmbehet sot në pikat e këmbimit valutor për 79.5 lekë, duke u forcuar me 0.3 lekë për njësi.
Ndërkohë, dollari kanadez është dobësuar minimalisht me 0.1 lekë për njësi ndaj monedhës vendase, duke zbritur në nivelin e 83.4 lekëve, ndërsa mbetet e pandryshuar franga zvicerane, e fiksuar në kuotën e 109 lekëve.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.