Këmbimi valutor, java nis me ndryshime të lehta – Lira turke i rikthehet rënies

Tregu vendas i këmbimit valutor ditën e hënë ka regjistruar disa luhatje minimale në kurset e monedhave kryesore. Me përjashtim të euros, pothuajse të gjitha valutat e tjera kanë ndryshime.
Dollari amerikan u ul me 0.5 lekë për njësi krahasuar me vlerën e ditës së hënë. Tashmë në kursin e 109.5 lekëve në blerje dhe 110.5 lekëve në shitje, valuta e SHBA pret bisedimet e shumëpritura me Kinën, të cilat pritet të lehtësojnë tregjet.
Paundi britanik ndërkohë u rrit lehtë me 0.2 lekë për njësi dhe ndodhet në kuotën e 139.5 lekëve. Ecuria e dobët në tregun vendas pasqyron javën më të keqe të stërlinës kundrejt dollarit amerikan, çka ka zhvlerësuar këtë monedhë.
Euro mbetet e pandryshuar në kursin e 125.2 lekëve, ndërsa po ashtu pa luhatje tregtohet edhe dollari australian në kuotën e 79.7 lekëve. Dollari kanadez u rrit lehtë me 0.3 lekë për njësi në kuotën e 83.8 lekëve, ndërsa franga zvicerane ra me 0.2 lekë dhe iu rikthye kursit të 110 lekëve për njësi.
Drejt rënies ndërkohë është rikthyer edhe valuta e Turqisë. Lira e re turke ra gjatë fundjavës pas një ringritjeje të lehtë gjatë mesit të javës së kaluar. Lira në tregun vendas ra me 1.03 lekë në kuotën e 18.13 lekëve, ndërsa zhvlerësimi erdhi si pasojë e deklaratës së Trump se do të kundërpërgjigjet ndaj refuzimit në gjykatë të apelimit të pastorit amerikan, në mes të konflikit mes Turqisë dhe SHBA. E pamjaftueshme për Turqinë ka rezultuar në këtë mënyrë mbështetja e popullit, i cili është angazhuar për të këmbyer valutat e huaja në monedhën vendase për të ndihmuar ekonominë.
EUR/ALL 125.20 -126.00
USD/ALL 109.50 -110.50
GBP/ALL 139.50 – 140.50
AUD/ALL 79.70 – 80.50
CAD/ALL 83.80 – 84.50
CHF/ALL 110.00 – 111.00
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.