Këmbimi valutor, leku nis javën duke u forcuar ndaj valutave kryesore – Euro ndalet në 133.2 lekë

Ditën e hënë, tregu vendas i këmbimit valutor ka regjistruar një rënie në vlerë të valutave kryesore ndaj monedhës sonë, lekut.
Kështu, euro ka rënë me 0.1 pikë kundrejt monedhës vendase në raport me kursin e ditës së premte. Tashmë i fiksuar në nivelin e 133.2 lekëve, valuta e Eurozonës duket se është normalizuar, pasi preku më herët gjatë muajit në tregun ndërkombëtar nivelin më të lartë të tre viteve të fundit.
Kursi në tregjet botërore reflektohet edhe për dollarin amerikan, i cili vazhdon të jetë në nivelet më të ulëta prej vitit 2014. Pas gjashtë javësh humbjesh, dollari më në fund ka arritur të fitojë vlerë dhe sot këmbehet për 107.4 lekë, ose 0.2 lekë më shumë se një javë më parë.
Megjithatë kjo rritje e dollarit pritet të jetë e përkohshme dhe do t’i duhet shumë kohë të rekuperojë humbjet. Kujtojmë që gjatë muajit Dhjetor, valuta amerikane këmbehej për 113 lekë, çka do të thotë se ka ende rrugë për të bërë.
Luhatja më e madhe e ditës së hënë i takon paundit britanik, i cili është zhvlerësuar me plot 0.6 lekë. Megjithatë kjo lidhet më shumë me nivelin e lartë që prekut gjatë javës së kaluar dhe tashmë duket se monedha britanike, ashtu si euro, është drejt normalizimit.
Sa i takon valutave të tjera, franga zvicerane vijon të qëndrojë në nivelet e javës së shkuar, ndërsa dollari australian dhe ai kanadez kanë fituar përkatësisht 0.2 dhe 0.1 pikë kundrejt lekut, duke u barazuar tashmë në nivelin e 86.7 lekëve.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.