Këmbimi valutor mbyll javën pa surpriza – Luhatje minimale në rritje për dollarin amerikan
Tregu i këmbimit valutor nuk ka sjellë surpriza as ditën e premte, teksa valutat kryesore vijojnë të mbeten në kuotat që i kanë shoqëruar gjatë dy javëve të fundit. Euro qëndron në nivelin e 125.8 lekëve në blerje dhe 126.3 lekëve në shitje, ndërkohë që grafiku i luhatjeve ditore të kësaj valute, siç duket edhe më poshtë, është konstant që prej fillimit të korrikut.
E pandryshuar në raport me vlerat e ditës së mëparshme është edhe paundi britanik, i cili këmbehet për 142 lekë në blerje dhe 143 lekë në shitje. Ndërkohë, zhvillimet brenda qeverisë britanike dhe lufta tregtare e saponisur, e kanë zbehur interesin e investitorëve për stërlinën.
Në rritje paraqitet sot dollari amerikan, i cili ka fituar 0.2 lekë për njësi dhe këmbehet për 107.5 lekë në blerje dhe 108.5 lekë në shitje. Dollari duket se ka përfituar pikërisht prej tensioneve tregtare, duke u forcuar edhe në raport me euron dhe stërlinën.
Sa i takon valutave të tjera, dollari australian është rritur lehtë me 0.1 lekë për njësi, dollari kanadez mbetet i pandryshuar, ndërsa franga zvicerane ka humbur plot 0.5 lekë për njësi duke zbritur në nivelin e 107.5 lekëve në blerje dhe 108.2 lekëve në shitje.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.