Këmbimi valutor, ngadalësohet vrulli i lekut – Euro nuk lëviz, dollari amerikan bie sërish
Ditën e premte duket se ka rënë ritmi me të cilin leku është forcuar kundrejt valutave të huaja në tregun vendas të këmbimit valutor.
Pas katër ditësh në humbje, euro sot nuk ka shënuar luhatje, ndërsa paundi britanik i është kthyer rritjes. Ndërkohë, dollari amerikan nuk ka mundur të frenojë rënien.
Zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, ku euro vazhdon të fitojë terren ndaj dollarit po e bëjnë të pamundur ngritjes e valutës së SHBA në tregun vendas. Tashmë dollari amerikan ka rënë me 2.7 lekë krahasuar me vlerën e ditës së hënë dhe ndodhet i fiksuar në kursin e 105.5 lekëve, diçka që nuk ndodhte që nga viti 2014.
Është pikërisht ky forcim ndërkombëtar i euros që ka ndalur rënien e mëtejshme kundrejt lekut. Banka Qendrore Europiane megjithatë duket se do ta ketë shumë të vështirë ta dobësojë monedhën e përbashkët, e cila që nga fillimi i vitit është rritur me 3% kundrejt dollarit amerikan.
Për paundin britanik forcimi ditën e premte është i lidhur me nisjen e deklaratave publike të qeverisë mbi strategjinë që do të ndjekë secili dikaster në procesin e daljes nga BE. Stërlina ka fituar 0.5 pikë kundrejt lekut krahasuar me vlerat e së enjtes, megjithatë e mbyll javën në humbje.
Në rritje e nis ditën e premte edhe franga zvicerane duke fituar 0,3 pikë ndaj lekut. Sa i takon valutave të tjera, dollari australian është i fiksuar për ditën e dytë radhazi në kuotën e 84 lekëve, ndërsa dollari kanadez vijon rënien.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.