Këmbimi valutor, “shembet” Dollari Amerikan – Stërlina përfiton nga deklaratat e Guvernatorit të Bankës së Anglisë

Mesjava ka shënuar disa ndryshime të papritura në tregjet ndërkombëtare të këmbimit valutor, si edhe në tregun vendas. Surpriza vjen në kurset e këmbimit të dollarit amerikan dhe të paundit britanik, dy valutat që kanë patur edhe luhatjen më të madhe të ditës.
Dollari ra me çerek përqindjeje ditën e mërkurë, atë që mund të jetë humbja më e madhe mujore e dy viteve të fundit. Tashmë kjo monedhë këmbehet me 107 lekë, duke rënë me 0.8 lekë nga niveli i ditës së djeshme.
Rënia vjen pas fjalimit të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili dështoi të jepte komfort për investitorët mbështetës të dollarit. Dobësia e valutës vjen në një kohë që ekonomitë e tjera botërore janë duke kapur ritmet e zhvillimit ekonomik, sidomos në Eurozonë dhe Japoni.
Duke kaluar tek euro, kjo valutë pati një rënie të lehtë ndaj lekut edhe pse të dhënat paraprake treguan se ekonomia e eurozonës u zgjerua me ritmin më të shpejtë të dekadës së fundit. Sot monedha e përbashkët këmbehet për 0.2 lekë më pak se dita e hënë, në nivelin e 133.1 lekëve.
Zhvillime pozitive ndërkohë për paundin britanik, i cili ka reflektuar më së mira deklaratat e Guvernatorit të Bankës së Anglisë, Mark Carney. Banka Qendrore do të jetë tashmë e angazhuar në uljen e inflacionit, duke mbështetur në këtë mënyrë një ekonomi më të shëndetshme. Kjo ka bërë që stërlina të rritet me 0.5% ndaj dollarit dhe 0.3% ndaj euros.
Në tregun vendas rritja ka qenë po ashtu domethënëse dhe valuta ka fituar plot 0.9 pikë ndaj lekut duke arritur kështu kursin e 151.7 lekëve.
Sa i takon valutave të tjera, franga zvicerane ka regjistruar humbje me 0.2 pikë ndaj lekut, dollari australian ka rënë lehtësisht me 0.1 lekë, ndërsa dollari kanadez ka mbajtur ritmin e ditës së martë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.