Kemi rritje ekonomike, po a kemi mirëqenie?
Nga Elisabeta Dosku
Teorikisht, shifra e rritjes ekonomike të një vendi tregon se sa i shëndetshëm është ai financiarisht dhe sa kjo është e përkthyer në mirëqenie tek qytetarët. Por kjo, jo gjithnjë ndodh në praktikë. Të paktën për Shqipërinë, rritja ekonomike, e cila aktualisht është në rreth 4.3 për qind, është një shifër që bën krenare qeverinë, por që nuk depërton tek më të varfrit dhe më së shumti qëndron në rrethin e të “kamurve”.
Kjo ndodh për shumë arsye dhe ekspertët më të mirë në vend të ekonomisë bëjnë një analizë të detajuar të “shendetit” të vendit tonë dhe “shtrojnë rrugën” për ekzekutivin, lidhur me reformat që duhet të ndërmarrë në mënyrë që rritja ekonomike të përkthehet në mirëqenie reale.
Rezultatet e ndërhyrjeve
Nga viti janë ndërmarrë një sërë reformash sociale dhe ekonomike nga qeveria, por ato që kanë prekur shtresën më vulnerabël kanë qenë me “pikatore” apo “gjysmake”. Mund të përmendim reformën në pensione, në tregun e punës, reduktimin e informalitetit, zgjerimin e disa shërbimeve publike, rritjen e aksesit të grupeve të varfra të popullsisë në disa shërbime bazë të kujdesit shëndetësor.
Lëvizje pozitive mund të përmendim rritjen e pagës minimale në 26 mijë lekë të bërë së fundmi si dhe mostaksimin e pagave deri në 30 mijë lekë, megjithëse ka hapësirë dhe mundësi për të bërë më shumë, pavarësisht se qeveria është tërësisht kundër. Sa i përket reformës së ndërmarrë në ndihmën ekonomike, ka rezultuar një reformë pa transparencë dhe që jo vetëm nuk ka rritur masën e mbështetjes, por ka penalizuar edhe familje që vërtetë janë në nevojë.
Ndërsa ende nuk kemi një përllogaritje të minimumit jetik. Botimi “Përkthimi i rritjes ekonomike në mirëqenie” i akademikut Kosta Barjaba, ku kanë dhënë kontribut ekspertët më të mirë të ekonomisë, është një guidë e saktë për qeverinë se ku duhet të ndërhyjë.
Akademiku Bajraba thekson rritja ekonomike nuk është përkthyer në rritjen e punësimit dhe uljen e varfërisë dhe se një sistem i konsoliduar mirëqenie presupozon sinergjinë midis tri minimumeve: pagave, pensioneve dhe minimumit jetik.
Në këndvështrimin e tij, e Ardhura Bazë Universale është garantimi për të gjithë qytetarët i një niveli të mjaftueshëm të ardhurash, në përshtatje me nivelin e jetesës dhe fuqinë blerëse të vendit. Ky përfitim ka tre tipare: është bazik, pra i mjaftueshëm për të garantuar jetesën, është universal, pra u takon të gjithë qytetarëve dhe është i pakushtëzuar, pra mund të përfitohet pavarësisht nivelit të të ardhurave. Akademiku Kosta Barjaba sugjeron se ky program mund të pilotohet edhe në Shqipëri.
Duke vënë në dukje mungesën e korrelacionit midis rritjes ekonomike dhe uljes së papunësisë, ai nënvizon se, është shumë e rëndësishme që rritja ekonomike të ushqehet nga faktorë të brendshëm, si rritja e produktivitetit, mbështetja e sistemit bankar dhe në këtë mënyrë do të jetë me aftë të përballojë sfidat dhe përmirësimin e cilësisë.
Konkretisht sipas tij duhet të rishikohen disa programe të mirëqenies.
“Krijimi i një kuadri ligjor më të fuqishëm dhe më efiçent për të luftuar informalitetin në tregun e punës përmes përfshirjes në tregun e pensioneve të rreth 400 mijë individëve të cilët aktualisht punojnë, por nuk kontribuojnë në skemën e pensioneve. Të rritet efiçenca dhe transparenca e disa programeve të mirëqenies siç është ndihma ekonomike. Gjatë këtij viti të zbatimit të reformës së ndihmës ekonomike qytetarët kanë shprehur disa rezerva dhe sugjerime për përmirësimin e saj, sidomos rritjen e transparencës se zbatimit të ndihmës ekonomike.
Po kështu, duke marrë parasysh kontekstin e rritjes së pagave, ritmet më të larta të rritjes ekonomike dhe përmirësimin e disa treguesve të tjerë të programeve të tjerë të mirëqenies, ka ardhur koha të rishikohet edhe masa masa e përftimit të disa programeve të tjera siç është ai ndihmës ekonomike dhe pensioneve. Po kështu, përveç ndihmës ekonomike në mbështetje të njerëzve më të varfër të këtij vendi, propozojmë që sidomos në zonat rurale të aplikohen grante blegtorale, që cilësia e tyre të përmirësohet jo vetëm përmes ndihmës, por përmes hyrjes në tregun e punës”, shprehet Kosta Barjaba.
Defektet
Ndërsa qeveritë mburren me shifrat e rritjes ekonomike, ekspertët kanë një përqasje tërësisht ndryshe dhe më realist në këtë aspekt. Sipas ekspertit Adrian Civici, Prodhimi i Brendshëm Bruto kontabilizon të gjitha format e aktivitetit ekonomik, pa bërë ndonjë ndarje ndërmjet atyre që sjellin realisht përfitime sociale dhe atyre që bëjnë efektin e kundërt, pasi thjeshtë dhe vetëm për hir të fititmit shkatërrojnë mjedisin, shëndetin etj.
Kështu, rritja ekonomike në shifra nuk ofron asnjë të dhënë për cilësinë e jetesës, aksesin e grupeve të populësisë në shërbimet bazë, gjendjen e shëndetit fizik dhe mendor, nivelin e lirisë ekonomike, demokracisë, zhvillimin e qendrueshëm, që kanë të bëjnë direkt me mirëqenien.
Duke bërë një analizë të 27 viteve të fundit, eksperti Adrian Civici nxjerr në pah edhe defektet që ka ekonomia e vendit dhe që duhen përmirësuar në mënyrë që rritja ekonomike të jetë në sinkron me mirëqenien e qytetarëve. Sipas tij, rritja ekonomike në vitet e tranzicionit nga 1991-2018, ka patur natyrë të çrregull dhe luhatje, ku stabilitet dhe ecuri pozitive ka psur në peridhën 2013-2018, duke arritur në një rritje prej 4.2 për qind. Një tjetër defekt është se rritja ekonomike nuk ka prodhuar në mënyrë simetrike efektet kolaterale pozitive që priten prej saj.
“Për shembull, nuk ka ecur në të njëjtin sens me punësimin, duke qenë larg edhe atij që njihet si “ligji i Okunit-“, domethënë, rritje simetrike e punësimit në funksion të rritjes ekonomike. Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve në të cilin vertetohet një lidhje e relativisht e dobët shkak-pasojë ndërmjet rritjes ekonomike dhe zvogëlimit të papunësisë”, shprehet Civici.
Ai e shikon rritjen ekonomike në disa aspekte kryesore. Fillimisht shikohet se si kjo rritje ekonomike ka krijuar zhvillim përpara se të kalojë tek mirëqenia dhe sipas tij ka pasur disa periudha relativisht afatgjata që rritja ekonomike në Shqipëri ka qenë varfëruese, pavarësisht shifrës, pasi ka prodhuar fenomene negative në përqindjen e saj pozitive, duke mos qenë në sinkron edhe me punësimin.
Ai thekson se rritja ekonomike ka prodhuar pabarazi sociale, zvogëlim drastik të shtresës së mesme dhe diferencim social sa i përket të të ardhurave, që lidhen direkt me aktivitetin ekonomik dhe se ka prodhuar diferencim territorial.
“Në këto pothuajse 30 vjet, po të heqim një vijë imagjinare nga Shkodra në Tiranë deri diku në Vlorë, jo më shumë se në 20 për qind të territorit, sot gjejmë të grumbulluar mbi 90 për qind të kapitalit në Shqipëri dhe të aktivitetit. Çka do të thotë se 80 për qind e territorit të vendit është në një dinamikë ekonomike dhe punësimi shumë të zbehtë, dhe për pasojë dhe me paga të ulëta dhe më pamundësi zhvillimi, dhe me provokim të eksodit të lëvizjes së popullsisë qoftë në këto zona, qoftë jashtë vendit”, shprehet Civici.
Elementi i tjetër në sytë e ekspertit është si përkthehet rritja ekonomike në mirëqenie, pra sa i kënaqur është konsumatori. Nëse Prodhimi i Brendshëm Bruto nuk përkthehet në Kënaqësinë e Brendshme Bruto, një term i ri që përdoret në 30 vende të botës, dhe nëse shtresa të ndryshme të popullsisë nuk përitojnë nga rritja ekonomike do të thotë që ajo ka një problem të brendshëm të saj. Aspekti tjetër ka të bëjë me rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse dhe përjashtuese.
“Në Shqipëri 90 për qind e bizneseve janë me 1-4 punëtorë dhe 10 për qind e aktorëve ekonomikë sot prodhojnë mbi 80-90 për qind të PBB. Dhe kur ndahet torta e PBB, vetëm një numër i vogël aktorësh marrin përfitimet prej saj, dhe kjo jo vetëm që shkakton diferencim, por krijon presion për qeverisjen dhe politikat rishpërndarëse për të kompensuar pjesën tjetër që nuk përfiton direkt si angazhim në rritjen ekonomike, por kërkon përfitimet nga politikat sociale. Sot kemi një rritje ekonomike jo gjithëpërfshirëse. Nëse flitet për politikat strukturore që duhet të bëjë një vend, më kryesorja është si ta bëjmë rritjen ekonomike më gjithëpërfshirëse, si të prodhojmë dhe si të shpërndajmë aktivitetet ekonomike në shtresa të ndryshme të popullsisë, në vende të ndryshme, dhe në sektorë të diversifikuar. Duhen politika orientuese dhe nëse do përfshijmë më shumë aktorë, do të bjerë presioni fiskal”, thekson Civici.
Ndërsa analizon dhe një element të fundit që ka të bëjë me faktin se sa cilësore është rritja ekonomike në vendin tonë. Sipas tij “rritja ekonomike ka qenë kryesisht e mbështetur tek konsumi, remitancat dhe importet, dhe jo te prodhimi, investimet dhe eksportet”. Pra nuk ka shumë rëndësi shifra, pasi mund të jetë një rritje ekonomike 3 për qind por që është cilësore dhe e qëndrueshme dhe mund të jetë një rritje 6 për qind, por jo cilësore.
Paketa “imunitare” antikrizë
Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë që në mesin e vitit 2019 dhe në fillim të vitit 2020, ekonomia globale mund të preket nga një krizë financiare, dhe ndonëse vendin tonë e kap vala e tretë e krizës, sërish do të ketë ndikim. Për këtë, i sugjerohet qeverisë që të ketë gati një paketë “antikrizë”, në mënyrë që simptomat të jenë më të minimale. Në këtë rast pasojat nuk janë thjeshtë financiare por edhe sociale, si rënie e rritijes ekonomike, rritje e papunësisë, etj. Sugjerimi është që “çatia” të rregullohet në kohë me diell.
“Rritja ekonomike 4 për qind, pavarësisht se nuk ka një korrelacion të fortë me punësimin dhe lë probleme sociale të mprehta, si rritje ekonomike krijon premisat që me një menaxhim të kujdesshëm të financave publike, trendi dhe kostoja e borxhit të vijnë në rënie. Kur konsumi dhe investimi privat heziton dhe ul kërkesën e përgjithshme në ekonomi, shteti duhet të ndërhyjë. Por shkalla e ndërhyrjes, cilësia e ndërhyjes, prioritetet e ndërhyrjes janë një sfidë e madhe dhe kanë veçanti nga njëri vend në tjetrin”, shprehet eksperti Arben Malaj.
Tregjet financiare, ndikimi në ekonomi
Zhvillimi i tregjeve financiare është një tregues për rritjen dhe zhvillimin ekonomik. Në këtë pikë, ekspertët e fushës, analizojnë disa elementë konkretë.
“Ndër treguesit e rëndësishëm në rritjen ekonomike, është ai i formimit të kapitalit fiks, një indikator që tregon rëndësinë që ka akumulimi i kapitalit fizik dhe modernizimi teknologjik në rritjen e produktivitetit, si faktor udhëheqës i rritjes ekonomike”, shprehet eksperti Selami Xhepa.
Ai vë në dukje se nga ana tjetër, fokusimi i kredisë në një numër të kufizuar sipërmarrjesh të mëdha ka pasur ndikim negativ në rritjen ekonomike dhe se një përqendrim i tillë i rrezikut, krijon problem me cilësinë e portofolit të kredisë. Ndërsa sugjeron që kreditimi të orientohet më së shumti te mikrondërmarrjet dhe SME-të.
“Studimi i kanaleve të influencimit të tregjeve financiare me sektorin real të ekonomisë, me rritjen e ekonomisë që duhet të përkthehet në rritje ekonomike, ka nevojë të shqyrtohet në një mënyrë më të kujdesshme”, shprehet Xhepa.
SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.