Keni zgjedhur të pushoni në Gjirin e Lalëzit sot? Policia Rrugore thirrje qytetarëve: Akset që mund të zgjidhni për të lehtësuar trafikun. Apeli për drejtuesit e automjeteve
Fluksi i turistëve në zonat turistike, gjatë sezonit të verës sjell edhe një ngarkesë në akset rrugore në këto zona. Kështu, në një njoftim të publikuar së fundmi policia rrugore fton qytetarët që të shmangin lëvizjet në akset që kanë ngarkesë, duke zgjedhur kështu segmente të tjera rrugore të tjera që të çojnë në destinacion.
“Gjatë ditës së sotme, nisur nga vrojtimet e dy javëve të fundit, ngarkesa në aksin rrugor Tiranë – Gjiri i Lalëzit do të jetë e mbingarkuar për shkak të fluksit të mjeteve të pushuesve nga Tirana dhe qytetet e tjera që synojnë këtë zonë plazhi. Janë të lutur drejtuesit e automjeteve të cilët kanë destinacion të ndryshëm nga Gjiri i Lalëzit për të mos u bllokuar dhe për të lehtësuar sadopak trafikun të zgjedhin aksin Tiranë- Ndroq- Plepa- Durrës ose në alternative edhe aksin Tiranë – Tuneli i Kërrabës – Elbasan – Rrogozhinë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Njëkohësisht policia rrugore ka edhe një apel për drejtuesit e automjeteve: “Policia Rrugore porosit drejtuesit e mjeteve të shmangin tejkalimet e shpejtësisë, parakalimet e gabuara, përdorimin e alkolit dhe gjithashtu në çdo rast të përdorin rripat e sigurimit dhe për motoçiklistët kaskat mbrojtëse”.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.