Kërcënimi i gazit rus: A do ta ndërpresë Putin nëse Europa nuk i bën pagesat në rubla?!

Vladimir Putin ka thënë se blerësit e gazit rus nga vendet “jomiqësore” do të duhet të paguajnë në rubla nga llogaritë në Rusi nga e premtja, ose të përballen me “pasojat”. “Ata duhet të hapin llogari në rubla në bankat ruse. Dhe nga këto llogari do të duhet të paguajnë për gazin e dorëzuar dhe atë që nga nesër”, deklaroi lideri rus në televizion pas nënshkrimit të një dekreti.
Në rast refuzimi, “kontratat aktuale do të ndërpriten”, shtoi ai. “Nëse këto pagesa nuk bëhen, do të konsiderohet si shkelje e detyrimeve nga ana e blerësit dhe kjo do të ketë të gjitha pasojat e nevojshme. Moska publikoi një listë të vendeve “jomiqësore” në fillim të marsit, e cila përfshin Shtetet e Bashkuara, anëtarët e Bashkimit Europian, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Japoninë, Zvicrën, Tajvanin, Korenë e Jugut, Norvegjinë dhe Australinë.
Gazi rus është vendimtar për BE-në, e cila që nga pushtimi rus ka përshpejtuar kërkimin e saj për të hequr qafe varësinë e saj dhe për të gjetur burime alternative të energjisë. Vladimir Putin tha të enjten se kontratat do të ndërpriteshin nëse blerësit nuk do të fillonin të paguanin në rubla nga e premtja. Duke folur në fillim të kësaj jave, zëdhënësi i Kremlin Dmitry Peskov u tha gazetarëve se “ne qartësisht nuk do të furnizojmë gaz falas” nëse vendet europiane refuzojnë kërkesat e Moskës.
Megjithatë, ai pranoi më vonë se ndryshimi i marrëveshjeve të monedhës mund të marrë kohë. Disa analistë thonë se është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet për Rusinë që të ndërpresë furnizimin me gaz në Europë. Sistemi i tubacioneve europiane është shumë i lidhur, kështu që çdo përpjekje për të kufizuar flukset në disa vende do të ndikonte në të tjerët, sipas analistëve në Rystad Energy. Përtej kësaj, shitjet e energjisë janë një burim kyç i të ardhurave për Rusinë. RTS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.