Kërkesa e Trump për interesa negative, Powell: Nuk përshtaten me gjendjen e ekonomisë amerikane
Kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell, hodhi poshtë argumentat e presidentit Donald Trump, duke i thënë kongresit se kërkesat e tij për nomra negative të interesit nuk janë të përshtatshme për ekonominë amerikane, që ndodhet në rritje, ka një treg të fortë pune dhe inflacion të qëndrueshëm. Powell, në seancën dëgjimore përpara Komisionit të Përbashkët Ekonomik në Kongres, u përpoq t’i shmangej pyetjeve se si do të reagojë banka përpara zgjedhjeve.
Ai tha se detyra e bankës nuk është të vendosë për politikat tregtare, të emigrimit apo të shpenzimeve. Megjithatë, shefi i Rezervës Federale reagoi ndërsa flitej për normat negative të interesit, nëpërmjet të cilave vende si Zvicra dhe Gjermania paguajnë qeveritë për titujt e borxhit. Trump i ka bërë thirrje Powell që të ulë interesat dhe të bëjë të njejtën gjë për qeverinë e tij.
“Normat negative të interesit nuk janë të përshtatshme për mjedisin ku ndodhemi. Ekonomia ndodhet në pozitë të mirë, kemi një sektor të fortë të konsumit, inflacioni është shumë pak poshtë objektivit dhe tregu i punës është fuqizuar. Për rrjedhojë, normat shumë të ulëta, apo negative të interesit, që shohim në botë, nuk janë të përshtatshme për ekonominë tonë” shpreh Jerome Powell, kreu i FED.
Perspektiva e Rezervës Federale për ekonominë është pozitive, pavarësisht shumë paralajmërimeve nga analistët se është rritur rreziku i recesionit. Poëell tha se ndikimi i 3 reduktimeve të normës bazë të interesit nuk është ndjerë akoma tek shpenzimet e bizneseve dhe ekonomive familjare. Investitorët kanë thënë se banka qendrore do të qëndrojë në pritje deri në fund të vitit të ardhshëm, duke u mbrojtur nga ndërhyrjet në fushatën zgjedhore.
Klevis Llaha/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.