Kërkesa globale për çelik do të rritet me 0.4% – Lufta Rusi-Ukrainë dhe inflacioni ngadalësojnë hapin e rritjes!

Kërkesa globale për çelik pritet të rritet me 0.4%, gjatë këtij viti, në një total prej 1.84 miliardë ton, duke u ngadalësuar krahasuar me rritjen prej 2.7% në vitin 2021. Tregu është ngadalësuar për shkak të paqartësive që lidhen me luftën në Ukrainë, njoftoi Shoqata Globale e Çelikut.
“Pritshmëritë për rritjen e vazhdueshme dhe të qëndrueshme nga pandemia janë goditur nga lufta në Ukrainë dhe nga rritja e inflacionit”, deklaroi shoqata. Kërkesa në Kinë, që përfaqëson rreth gjysmën e konsumit global të çelikut, pritet të jetë e pandryshuar gjatë këtij viti. “Ka disa rreziqe në kahun e poshtëm, si pasojë e rritjes së infektimeve me Covid-19 në Kinë dhe rritjes së interesave”, njoftoi Shoqata Globale e Çelikut.
Kërkesa për çelik në ekonomitë e zhvilluara parashikohet të rritet me 1.1%, gjatë këtij viti dhe me 2.4% në vitin 2023, pas një rimëkëmbje të ndjeshme prej 16.5% në vitin 2021. “Parashikimet tona bazohen në pritshmëritë se lufta në Ukrainë do të përfundojë gjatë vitit 2022, por sanksionet ndaj Rusisë do të vijojnë”, deklaron shoqata.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.