Kërkesat e sipërmarrjes – Ministria, reformë në përfaqësimin e biznesit
Komuniteti i biznesit e ka mirëpritur strukturën e re qeverisëse për 4 vjeçarin e ardhshëm, ku pjesë e saj do të jetë dhe një dikaster i posaçëm për Sipërmarrjen. Përfaqësues të këtij komuniteti shprehen për TV SCAN se krahas mbështetjes do të paraqesin te kjo ministri dhe kërkesat e tyre. Kështu Luan Bregasi, President i Biznes Albania, e etiketon si “shtëpia e vetme e biznesit”, së cilës do i drejtohen të gjitha kërkesat.
“Tashmë që do jetë një ministri e vetme ne mendojmë dhe shpresojmë që goditja e kërkesave që do të ketë biznesi do të jete më e fokusuar më e përqendruar. Kjo ministri tashmë do të jetë ministria jonë dhe ne do të ndihemi sikur të jemi në shtëpinë tonë në këtë ministri. Dikasteri do të ketë stafe të kualifikuara dhe të dedikuara vetëm për këto problematika dhe duke qenë se kjo ministre do të jetë anëtare e qeverisë është shumë e rëndësishme për ne që ky zë tashmë do të jetë direkt në mbledhjet e qeverisë. Kjo do të thotë se ne do të kemi një avokate të miratuar dhe anëtare të qeverisë”.
Ndërsa kreu i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, tha se krijimi i Ministrisë ishte mbi pritshmëritë, por kjo kërkon një reformë të përfaqësimit të biznesit.
“Unë pres veçanërisht nga kjo Ministri por në përgjithësi nga kjo qeverisje që të zgjidhë një problem madhor që ne kemi në Shqipëri si komuniteti i biznesit. Komuniteti i biznesit nuk është i përfaqësuar, nuk është i organizuar dhe nuk është në gjendje të prodhojë vetë politikat që atij i interesojnë, të cilat janë profesionale dhe të jenë unifikuese dhe larg qëndrimeve klienteliste individualiste të grupimeve apo individëve të caktuar në ekonomi. Kjo ka nevojë për një reformë jashtëzakonisht të madhe që është reforma e përfaqësimit të biznesit”.
Edhe pse ende si dimë objektivat e qarta, kërkesat për Ministrinë e Sipërmarrjes do të bëhen edhe sipas problematikave të sektorëve të ndryshëm, shprehet Gjergji Gjika, kryetar i Shoqatës së Fasonëve.
“Gjëja e parë që do të bëjmë ne do të jetë lançimi i disa kërkesave në bazë të sektorëve, por unë flas për sektorin që unë mbuloj i cili ka nevojë imediate për disa elementë të cilët detyrimisht sot ka ardhur koha që të jenë në plan të parë të realizimit të tyre dhe do t’ju them pikën numër një të cilën ne nuk e negociojmë dot, që është të zbatohen ligjet. Pra ligjet që janë aprovuar të zbatohen, këtu nënkuptoj ligjet themelore me të cilat ne punojmë. Ligji për doganën, ligji për tatimet të cilat në shumicën e rasteve ose nuk njihen nga punonjësit të cilët duhet t’i zbatojnë këto ligji ose shkelen me dashje nga ata”.
Vetëm dy muaj më parë, para zgjedhjeve të përgjithshme, biznesi i bëri thirrje klasës politike që me konfigurimin e qeverisë së re të krijohet Ministria e Tregtisë dhe Sipërmarrjes, drejtimi i së cilës do të propozohej nga vetë biznesi.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.