Kërkesat për rikonstruksionin e banesave – Vendimi: Nuk ka leje rinovimi pa plotësuar kërkesat për eficencë energjie
Rinovimi i një ndërtese ekzistuese, që përfshin rikonstruksionin për zgjerimin e sipërfaqes së dyshemesë së ndërtesës në masën mbi 30%, do të duhet të bëhet sipas parimeve të efiecencës së energjisë, duke garantuar performancën energjetike të ndërtesës. Detyrimi vjen nga një vendim i Këshillit të Ministrave që ka për qëllim arritjen e niveleve optimale të konsumit energjetik për një përdorim tipik të ndërtesës. Referuar vendimit, çdo pronar i ndërtesës apo subjekt juridik i kontakturar prej tij gjatë aplikimit për leje ndërtimi do të duhet të japë detaje për punimet që do të kryhen.
Këtu përfshihen ndërhyrjet me qëllim përmirësimin e performancës së energjisë në mbështjelljen e ndërtesës si dhe ndërhyrje për ndryshimin e sistemeve ngrohëse/ftohëse, të ventilimit, dhe ndriçimit me qëllim përmirësimin e performancës së energjisë të sistemeve teknike, me qëllim kursimin energjisë. Për të kryer këtë process do të nevojitet edhe raporti i një audituesi energjetik, ndërkohë që leja e ndërtimit do të aprovohet vetëm në rastin kur kërkesat për eficencë energjie janë përmbushur.
Nëse këto kërkesa nuk janë përmbushur, autoriteti refuzon duke kërkuar rishikimin e projektit. Vendimi i qeverisë do të hyjë në fuqi 3 muaj pas botimit të Fletoren Zyrtare, ndërkohë që ai pritet t’i japë një shtysë jo vetëm kursimit të energjisë, por edhe rritjen e cilësisë së jetesës në një banesë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.