Kërkesë e fortë e gazit këtë vit / IEA: Kërcënon objektivat ndërkombëtar të klimës

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, theksoi se rimëkëmbja e kërkesës botërore për gaz deri në vitin 2024, pas rënies rekord në vitin e kaluar, pritet të devijojë botën nga objektivat e klimës, për të arritur emetime zero deri në vitin 2050. Mbi 190 vende kanë nënshkruar marrëveshjen e Parisit që pritet të limitojë ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius, çka do kërkojë reduktime gjigante të përdorimit të lëndëve djegëse fosile, si qymyri, nafta dhe gazi. “Kërkesa për gaz natyror pritet të rimëkëmbet fuqishëm këtë vit dhe do vazhdojë rritjen deri sa qeveritë të mos kenë zbatuar politika të forta për objektivat e klimës”- deklaroi agjencia. Kërkesa për gaz këtë vit pritet të rritet me 3.6%, ndërkohë që ekonomitë botërore rimëkëmben pas rënies rekord në vitin 2020, që erdhi nga masat e karantinës së koronvairusit. Nga viti 2022 – 2023, rritja e kërkesës pritet të arrijë një mesatare prej 1.7% në vit, çka nënkupton se kërkesa do të jetë shumë e lartë për të mbajtur objektivat e klimës. Agjencia publikoi në Maj një shteg për sektorin e energjisë që të arrijë emetime neto zero të gazrave dhe theksoi se investitorët nuk duhet të financojnë projekte të reja të naftës, gazit dhe qymyrit. Megjithatë, kërkesa e re mund të arrihet nga projekte që janë nën zhvillim apo të miratuara përpara pandemisë. Çmimi botëror i gazit është rritur në nivele shumë-vjeçare në muajt e fundit dhe temperaturat e larta po nxisin kërkesën për gjenerim të energjisë dhe ajër të kondicionuar.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.