Kërkohet “koka” e Schaeuble – Socialdemokratët në koalicion, vetëm pa “falkoin”

Konservatorët e Angela Merkel me shumë gjasa do të fitojnë zgjedhjet parlamentare të 24 shtatorit, por pa një mazhorancë absolute.
Kjo do t’i detyrojë që të vazhdojnë të qeverisin në koalicion me socialdemokratët. Për këta të fundit, kostoja e vijimit të koalicionit të madh do të ishte sakrifikimi i Wolfgang Schaeuble, ministër financash në vend.
Ndër të tjera, për hir të koalicionit të madh, social demokratët, që në garën e shtatorit konkurrojnë me Martin Schulz, kërkojnë që ministria e financave t`iu jepet atyre, pasi t`i hiqet Schaeuble, i njohur ndryshe si “fajkoi” gjerman.
Schaeuble personifikon disiplinën fiskale dhe stabilitetin financiar, të cilat gjermanët i kanë shumë për zemër. Por, për socialdemokratët, politikat e tij shkojnë shumë tutje.
Kritikët kërkojnë kokën e Schaeuble, duke e akuzuar se nuk po i jep frymëmarrje Francës. Fajkoi gjerman vazhdon të insistojë në disiplinën buxhetore të Francës, duke mos i lejuar fleksibilitetin e kërkuar.
Mungesa e këtij fleksibiliteti nuk do t`i krijojë hapësira, Emmanuel Macron, për të nxitur rritjen dhe reformuar ekonominë. Në rast se Macron bie, Europa dhe Franca do ta kenë punën pisk, besojnë socialdemokratët.
Këta të fundit janë pro europianë të betuar dhe kandidati i tyre, Martin Schulz, deri pak kohë më parë, ishte President i Parlamentit Europian. Schulz ka premtuar reformim sa më të shpejtë të Eurozonës. Gjithsesi, eliminimi politik i Schaeuble do të vijë me kosto për Merkel, pasi “fajkoi” gjerman në disa zona të vendit, ku puna e fortë dhe kursimet janë mënyrë jetese, gëzon pozicionin e një kulti.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.